Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë sot në Mitrovicë, në Konferencën XXII të Rrjetit Evropian për Zhvillimin Rural. Ky takim, i organizuar nga Kolegji Publik Ndërkombëtar i Biznesit Mitrovica (IBCM) në bashkëpunim me Rrjetin Evropian, po zhvillohet nga 29 shtatori deri më 1 tetor.

Në fjalën e tij, Kurti theksoi rëndësinë jetike të zhvillimit rural për Kosovën, duke vënë në pah tokën pjellore, burimet natyrore, traditën e thellë bujqësore dhe potencialin njerëzor të vendit.

Ai nënvizoi se një pjesë e madhe e popullsisë jeton në zona rurale, ku bujqësia, blegtoria, përpunimi i ushqimit dhe bizneset e vogla rurale përbëjnë një burim thelbësor të ardhurash për shumë familje.

Kryeministri deklaroi se qeveria po investon në bujqësi dhe zhvillim rural, me synimin për të kaluar nga një model mbështetjeje i bazuar kryesisht në sipërfaqe toke dhe numër krerësh, drejt një sistemi që stimulon prodhimin, cilësinë, produktivitetin dhe konkurrueshmërinë.

“Pavarësisht vështirësive, nga sfidat strukturore deri te ndryshimet klimatike, qëllimi ynë është jo vetëm ta mbështesim, por edhe ta transformojmë bujqësinë,” deklaroi Kurti.

Ai përmendi gjithashtu nevojën për investime në ujë dhe ujitje, shëndetin e tokës, si dhe në kapacitetet e përpunimit dhe magazinimit. Sipas Kurtit, këto investime do t’u mundësonin fermerëve t’u shtojnë vlerë produkteve të tyre, duke shmangur eksportin e lëndës së parë dhe importin e produkteve të gatshme.

Kryeministri theksoi edhe rëndësinë e ndërtimit të një sistemi ushqimor ku siguria e konsumatorëve, konkurrenca e ndershme në treg dhe besimi në institucionet publike janë parime themelore.

“Fshati i zhvilluar dhe bujqësia produktive janë parakusht për një shtet të fortë dhe një ekonomi të qëndrueshme, ashtu siç një shoqëri e shëndetshme kërkon një sistem ushqimor të sigurt,” përfundoi kryeministri fjalën e tij.