Më shumë se 100 kolonë izraelitë kanë kryer sulme në një fshat palestinez në Bregun Perëndimor të pushtuar, duke penguar një familje – e cila po shoqërohej nga ushtria izraelite – të kthehej në shtëpitë e saj, të cilat ishin marrë me forcë nga kolonët disa javë më parë, ka raportuar BBC, transmeton Gazeta Express.
Dy shtëpi që i përkisnin familjes al-Tubasi në Jalud, në jug të Nablusit, iu vunë flaka gjatë sulmit të së hënës në mbrëmje, ndërsa edhe forcat izraelite të sigurisë u vunë në shënjestër nga kolonët. Grupet e të drejtave të njeriut thonë se këto ngjarje tregojnë dështimin e autoriteteve izraelite për të ndërmarrë masa efektive kundër dhunës së kolonëve.
“Ishte jashtëzakonisht e tmerrshme, e pashpjegueshme me fjalë. Është e vështirë ta imagjinosh situatën,” tha Mahmoud al-Tubasi për BBC-në.
“Ndjesia ime tani është se jam i lumtur që i shpëtova vdekjes. Vërtet prisja që ata të na vrisnin.”
Al-Tubasi, 60 vjeç, bashkëshortja e tij Aida, 51 vjeçe, dhe djali i tyre 33-vjeçar, Wael, ishin kthyer në pronat e tyre të shoqëruar nga forcat izraelite, pasi Gjykata e Lartë e Izraelit kishte vendosur më herët gjatë këtij muaji se atyre duhet t’u lejohej kthimi.
