**KEK anulon tenderin 2.7 milionë eurosh për rotorë, arsyeja: Vetëm një ofertë**

Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka anuluar procedurën e tenderimit, me vlerë prej 2.7 milionë eurosh, për blerjen dhe instalimin e rotorëve të pompave furnizuese të Termocentralit “Kosova B”.

Ky tender synonte sigurimin dhe instalimin e katër rotorëve të rinj për njësitë B1 dhe B2 të termocentralit, me qëllim rritjen e besueshmërisë dhe efikasitetit të pompave të tyre.

Sipas njoftimit zyrtar të anulimit, vendimi për ndërprerjen e aktivitetit të prokurimit është marrë më 15 korrik, ndërsa dokumenti është përgatitur dhe bërë publik më 28 shtator.

Në bazë të planifikimit fillestar të KEK-ut, dy rotorë do të instaloheshin në njësinë B1 dhe dy në njësinë B2 gjatë vitit 2027. Për shkak të këtij procesi, njësia B1 ishte parashikuar të mbetej jashtë pune për rreth 30 ditë, ndërsa njësia B2 nga 10 prilli deri në nëntor të po atij viti.

Megjithatë, procedura e tenderit u anulua pasi, pas hapjes së ofertave, u konstatua se ishte pranuar vetëm një tender. Ky fakt shkel një dispozitë të Ligjit për Prokurimin Publik, i cili kërkon një konkurrencë të mjaftueshme për vlerësimin e vlefshëm të ofertave.