Rama prezanton ndryshimet: Nuk do të ketë arrest me burg për vepra me dënim nën 5 vjet; procedimi penal të nisë nga liria
Në kuadër të Reformës në Drejtësi, Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama prezantoi sot projektndryshimet në Kodin e Procedurës Penale, duke theksuar kufizimin e përdorimit të masës së arrestit me burg.
Rama theksoi se gjykatat duhet ta nisin vlerësimin nga liria, duke shqyrtuar fillimisht masat më të buta të sigurisë. Sipas këtyre ndryshimeve, për veprat që parashikojnë dënim deri në 3 vjet nuk do të caktohen masa shtrënguese, ndërsa për veprat me dënim nën 5 vjet nuk do të ketë arrest me burg.
Kryeministri u shpreh se “procedimi penal duhet të nisë nga zanafilla e lirisë, jo nga burgu si pikënisje.” Ai shtoi se gjykata duhet të fillojë me shqyrtimin e masave më të buta, siç është arresti në shtëpi. Sipas Ramës, nuk do të mjaftojë më vetëm natyra e veprës, por rreziku duhet të jetë konkret dhe aktual.
Rama theksoi se gjykata duhet të bëjë një vlerësim të pavarur, dhe nëse kopjon argumentet e prokurorit, vendimi bëhet i pavlefshëm. Ai shtoi se sa herë caktohet arresti, gjykata duhet të vlerësojë edhe gjendjen pasurore të të dyshuarit, ndërsa prokurori duhet t’i raportojë gjykatës çdo muaj nëse arsyet e masës vazhdojnë të ekzistojnë. Kjo paketë, theksoi Rama, synon të forcojë edhe mbrojtjen e personave me gjendje të cenueshme.
Më tej, kreu i qeverisë theksoi se paraburgimi, i cili sipas Kushtetutës duhet të jetë masa e fundit, në Shqipëri është bërë qendror. “Kjo paketë është përgjigje konkrete ndaj problemit real,” tha Rama, duke shtuar se ajo vjen “si arkitekturë e vetme dhe koherente” për të adresuar këtë problematikë.
