Laporta zbulon përpjekjen e dështuar të Barcelonës për Lautaro Martinez: Marotta ma preu shkurt
Barcelona ka bërë një përpjekje serioze për të transferuar sulmuesin Lautaro Martinez nga Interi gjatë afatit kalimtar të verës së shkuar. Megjithatë, drejtori ekzekutiv i klubit italian, Giuseppe Marotta, i ka mbyllur menjëherë dyert për çdo diskutim mbi largimin e argjentinasit.
Presidenti i Barcelonës, Joan Laporta, ka zbuluar se ka kontaktuar personalisht Marottën, pa ndërmjetës, për t’i shprehur interesin e klubit katalanas për Martinez.
Duke folur për “La Gazzetta dello Sport”, Laporta ka thënë: “E dëshiroja Martinez në Barcelonë, por Giuseppe Marotta ma ndërpreu fjalën. E telefonova drejtpërdrejt, pa ndërmjetës, dhe i thashë se do të doja ta kisha Lautaron në ekipin tim.”
Megjithatë, përgjigjja e drejtorit ekzekutiv të Interit ka qenë e prerë dhe pa hapësirë për negociata.
“Por ai nuk më la as ta përfundoja fjalën dhe ma bëri të qartë se lojtari nuk ishte në shitje,” ka rrëfyer Laporta.
Kështu, pavarësisht interesit të Barcelonës dhe dëshirës së Laportës për ta sjellë sulmuesin argjentinas në “Camp Nou”, Interi nuk ka treguar asnjë gatishmëri për të diskutuar largimin e tij.
Martinez vazhdon të jetë një prej figurave kyçe të skuadrës së Interit. Këto deklarata të Laportës konfirmojnë se sulmuesi argjentinas ishte një objektiv madhor i Barcelonës gjatë afatit veror.
