Para ndeshjes Izrael–Kosovë, delegacionet mbajnë darkë zyrtare në Debrecen

Para përballjes së nesërme mes Izraelit dhe Kosovës, delegacioni i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) mori pjesë në darkën zyrtare të organizuar nga presidenti i Federatës së Futbollit të Izraelit, Moshe Zuares, në qytetin e Debrecenit.

Gjatë takimit, në një atmosferë të hapur dhe miqësore, u diskutua për zhvillimin e futbollit në të dyja vendet, ecurinë aktuale dhe perspektivat e ekipeve kombëtare.

Presidenti Zuares vlerësoi përparimin dhe sukseset e arritura nga Kosova në vitet e fundit, duke theksuar njëkohësisht marrëdhëniet e mira ndërmjet dy federatave.

Në këtë kuadër, ai kujtoi edhe mikpritjen e treguar në Kosovë gjatë përballjeve të mëparshme mes dy vendeve, si në nivelin e kombëtares A, ashtu edhe të ekipeve U21.

Në përfundim të darkës zyrtare, palët uruan njëra-tjetrën për një ndeshje të mirë dhe korrekte, duke theksuar rëndësinë e respektit dhe frymës së “fair-play”-t.

Ndeshja Izrael–Kosovë do të zhvillohet nesër në Debrecen, një përballje që pritet me interes të madh nga të dyja palët.