Trajneri i Aston Villas, Unai Emery, ka akuzuar “shumë klube të tjera” se kanë fryrë buxhetet e tyre, pasi Manchester City u shpall fajtor për të gjitha akuzat që lidhen me shkelje të rënda të rregullave financiare të Premierligës.
Premierliga njoftoi të martën (29 shtator) se City ishte shpallur fajtor për të gjitha akuzat që lidhen me shkelje të rënda të rregullave të saj financiare, pas një vendimi nga një komision i pavarur.
Komisioni konstatoi se, midis sezoneve 2009/10 dhe 2017/18, klubi kishte aranzhuar kontrata “fiktive” me partnerë komercialë si pjesë e një “skeme të financimit të kamufluar”, me qëllim rritjen artificiale të të ardhurave të klubit me 830 milionë funte.
Tri ditë pasi vendimi zyrtar u bë publik, trajneri i Aston Villas, Unai Emery, bëri disa komente të forta rreth kësaj situate gjatë një interviste për publikimin spanjoll “Diario de Sevilla”, sipas “Daily Mail”.
Në të kaluarën, Emery ka kritikuar ashpër strukturën e “Fair Play Financiar” (FFP) dhe Rregullave të Fitimit dhe Qëndrueshmërisë (PSR), të cilat u vendosën për të parandaluar kolapsin financiar dhe shpenzimet e mëdha në futbollin anglez.
Tani, spanjolli ka pretenduar se “shumë klube të tjera” kanë fryrë buxhetet e tyre.
“Është një çështje që tashmë dihej”, tha Emery.
“Sepse të gjithë kemi kufizimet tona, duhet të shesim lojtarë për të respektuar ‘Fair Play Financiar’, duhet të gjejmë mënyra se si t’i hartojmë kontratat me njerëzit e rinj. ‘Fair Play Financiar’ synon një ekuilibër financiar, në mënyrë që ajo që gjeneron të jetë ajo që shpenzon dhe të mos ketë inflacion. Po, shumë klube të tjera i kanë fryrë buxhetet e tyre dhe tani kjo po del në dritë, dhe natyrisht pason një rënie. Kjo është diçka që do të duhet ta vendosin gjykatat dhe përgjegjësit. Më vjen keq sepse si luante ajo skuadër. Me Guardiolën, kishte momente kur ishin të pakonkurrueshëm”, shtoi ai.
Të premten, Manchester City njoftoi se ka dorëzuar zyrtarisht një apelim kundër gjetjeve se klubi ka shkelur rregullat financiare të Premierligës.
Vitin e kaluar, Emery pretendoi se rregullat financiare ndikuan negativisht në afatin kalimtar veror të vitit 2025, pasi Aston Villa shiti produktin e akademisë Jacob Ramsey për të respektuar rregulloret.
“Ne nuk mund ta shmangim faktin se vera ka qenë sfiduese, sepse rregullat financiare po kushtëzonin investimet tona në skuadër”, shkroi ai në shënimet e programit të ndeshjes.
“Rregullat e kontrollit financiar erdhën në futboll për të parandaluar falimentimet dhe mospagesat, me një qëllim të mirë. Por, si profesionistë, ne duhet ta rishikojmë atë, sepse ky mjet i mirë do të bëhet një kufizim për klubet që po bëjnë menaxhim të mirë, të cilave nuk do t’u lejohet kurrë të ëndërrojnë dhe të synojnë objektiva më të larta, sepse të ardhurat, të cilat janë kyçe për këto rregulla financiare, kanë nevojë për kohë që të bëhen realitet pas suksesit sportiv”, tha ai tutje.
