OVL-UÇK: Nuk u besojmë Dhomave të Specializuara, asnjë vendim s’e ndryshon të vërtetën historike të luftës
Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK) ka reaguar në lidhje me procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Dhomat e Specializuara në Hagë, duke shprehur mosbesimin e saj ndaj drejtësisë së këtij institucioni.
Nëpërmjet një reagimi të publikuar në rrjetet sociale, OVL-UÇK ka kritikuar mënyrën e zhvillimit të procesit gjyqësor, duke theksuar se është cenuar besimi në profesionalizmin dhe paanshmërinë e Dhomave të Specializuara.
“OVL-UÇK nuk ka besim në ‘drejtësinë’ e Dhomave të Specializuara në Hagë. Mënyra sesi e kanë zhvilluar dhe po e zhvillojnë procesin kundër krerëve të UÇK-së ka shkatërruar çdo fije besimi në profesionalizmin dhe paanshmërinë e tyre. Prandaj, asnjë vendim i tyre nuk mund ta ndryshojë të vërtetën historike të Luftës Çlirimtare”, theksohet në reagim.
Më tej, kjo organizatë ka deklaruar se zhvillimet dhe vendimet në këtë proces nuk do t’i zmbrapsin, përkundrazi, do t’i bëjnë edhe më të vendosur dhe të bashkuar.
“Të gjithë le ta kuptojnë: Këto goditje nuk na dobësojnë, nuk na frikësojnë dhe nuk na zmbrapsin. Përkundrazi, na bëjnë më të vendosur, më të bashkuar, më të fortë. UÇK-ja nuk ka vend në bankën e të akuzuarve të historisë. Ajo qëndron në themelet e lirisë së Kosovës”, përfundon deklarata e OVL-UÇK-së.
