Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ndaluar për 48 orë ish-udhëheqësin e Zyrës për Menaxhimin e Lëndëve në Gjykatën Themelore të Prishtinës, Agim Bytyqin, nën dyshimin për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Bytyqi dyshohet se, gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare, ka krijuar dosje fiktive dhe ka vendosur vulën e vërtetësisë në kopjen e një dokumenti të falsifikuar, të titulluar “Kontratë për shitblerje”. Ky veprim, sipas hetimeve, është kryer me qëllim të përfitimit të paligjshëm pasuror për vete dhe persona të tjerë.

Sipas njoftimit të Prokurorisë, si pjesë e veprimeve hetimore, është zbuluar se i dyshuari ka mundësuar regjistrimin e një prone banesore prej 55.89 m² në emër të një shtetasi serb me inicialet M.B., i cili aktualisht ndodhet në arrati. Kjo pronë, e vendosur në Zonën Kadastrale të Matiçanit, në Prishtinë, është regjistruar në Zyrën Kadastrale të Prishtinës.