**Avokati i Thaçit ngre pikëpyetje: A e dinte Macron dënimin e ish-presidentit 6 ditë para aktgjykimit?**
Luka Misetic, avokati i ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ka ngritur pikëpyetje serioze pas një deklarate të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq. Deklarata e Vuçiqit lidhej me një takim të tij me presidentin francez, Emmanuel Macron, që u mbajt më 10 shtator në Paris.
Sipas Miseticit, presidenti serb ka deklaruar publikisht, përmes një videoje, se gjatë takimit me Macronin i ishte thënë nga një “lider evropian dhe botëror” (duke iu referuar Macronit) se Thaçi do të merrte “një dënim të rëndë”.
Kjo deklaratë, thekson Misetic, është bërë rreth gjashtë ditë para shpalljes zyrtare të aktgjykimit ndaj Hashim Thaçit. Avokati pyet si ishte në dijeni presidenti Macron për rezultatin e aktgjykimit disa ditë përpara shpalljes zyrtare të tij. Gjithashtu, Misetic ngre pikëpyetjen se përse një çështje e tillë do të diskutohej midis presidentit francez dhe atij serb.
Këto pikëpyetje, sipas avokatit Misetic, kërkojnë përgjigje të qarta. Ai i ka bërë publike dyshimet e tij përmes një postimi në platformën X (ish-Twitter), ku ka cituar deklaratën e Vuçiqit dhe ka vënë në pah paqartësitë lidhur me kohën dhe përmbajtjen e bisedës mes dy presidentëve.
