Rangnick kritikon gjendjen e fushës në “Fadil Vokrri”: “Është e pakuptimtë”
Një ditë përpara ndeshjes kundër Kosovës në Ligën e Kombeve, trajneri i Austrisë, Ralf Rangnick, ka shprehur kritika për kushtet e stadiumit “Fadil Vokrri”, duke theksuar pakënaqësinë e tij me gjendjen e fushës në Prishtinë.
Në konferencën për shtyp para ndeshjes, trajneri gjerman krahasoi fushën e Prishtinës me atë të Vjenës, ku Austria zhvilloi takimin e kaluar kundër Kosovës.
“Është krejtësisht ndryshe,” tha Rangnick. “Në Vjenë luajtëm në një fushë të freskët, të sapo rinovuar. Në Prishtinë pashë një fushë jo shumë të mirëmbajtur. Është e pakuptimtë. Moti është i mirë dhe fusha duhej të ishte në nivelin e duhur.”
Austria mundi Kosovën me rezultatin 3-1 në përballjen e zhvilluar në Vjenë. Të dielën, dy skuadrat do të takohen sërish, kësaj radhe në stadiumin “Fadil Vokrri”, në një ndeshje të vlefshme për Ligën e Kombeve.
Rangnick u ka kërkuar lojtarëve të tij përqendrim maksimal, ndërsa austriakët synojnë të marrin një rezultat pozitiv në Prishtinë për të vazhduar garën në Grupin B4 me objektivin për të ruajtur kreun e grupit.
Ndeshja Kosovë–Austri do të zhvillohet të dielën, duke filluar nga ora 18:00, në stadiumin “Fadil Vokrri”.
