AFC krijon Ligën e Kombeve të Azisë, frymëzohet nga UEFA
Konfederata Aziatike e Futbollit (AFC) po ndërmerr reforma të rëndësishme në garat e saj ndërkombëtare për ekipet kombëtare, duke u frymëzuar nga modeli i Ligës së Kombeve të UEFA-s.
Turneu i ri do të ndajë kombëtaret pjesëmarrëse në tre nivele. Dy nivelet e para do të përfshijnë nga 18 ekipe secila, ndërsa niveli i tretë do të ketë 11 ekipe, të cilat do të ndahen në tre grupe.
Për të lehtësuar tranzicionin drejt këtij formati të ri, AFC ka propozuar një turne pilot që do të zhvillohet gjatë sezonit 2028-29. Ndarja e kombëtareve në nivele, për këtë edicion pilot, do të bazohet te rezultatet e kualifikueseve paraprake të përbashkëta, dhe jo te renditja e FIFA-s. Kjo masë synon të sigurojë një qasje të barabartë për të gjitha kombëtaret në edicionin e parë zyrtar të Ligës.
Sipas programit pilot, formati aktual i kualifikueseve të Kupës së Botës, me tre grupe me nga gjashtë skuadra në nivelin më të lartë, do të ruhet. Dy skuadrat e para nga secili grup do të kualifikohen direkt për Kupën e Botës 2030.
