Kuvendi i Kosovës ka miratuar me 90 vota shmangien nga afatet dhe procedurat e rregullta parlamentare, duke i hapur kështu rrugë shqyrtimit të parë të projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, e njohur ndryshe si Gjykata Speciale.

Propozimi për këtë veprim erdhi nga shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci. Ajo kërkoi që shqyrtimi i parë i projektligjit të realizohet në seancën e jashtëzakonshme të sotme, duke theksuar: “Propozojmë që shqyrtimi i parë i këtij ligji të bëhet në seancën e jashtëzakonshme, pra sot.”

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Përparim Gruda, sqaroi qëllimin e ndryshimeve të propozuara. Sipas tij, ato nuk prekin të drejtën e Dhomave të Specializuara për trajtimin e rasteve që lidhen me trafikimin e organeve. Qëllimi kryesor, shtoi Gruda, është që rastet e krimeve të luftës të gjykohen në Kosovë.

Gruda detajoi më tej: “Ky ligj nuk ia heq të drejtën Gjykatës Speciale për të trajtuar rastet që kanë të bëjnë me trafikimin e organeve, por i heq një pjesë të juridiksionit të Dhomave të Specializuara, atë që ka të bëjë me krimet e luftës. Ajo mund të vazhdojë me hetimet për trafikimin e organeve. Kosova nuk do ta ndryshojë Kushtetutën e saj dhe nuk do të prishë marrëveshjet ndërkombëtare që kemi me Holandën. Ajo që bëjmë është që krimet e luftës të zhvendosen për t’u gjykuar në Kosovë. Ligji i bart këto kompetenca për të gjitha rastet e ardhshme. Për ish-krerët, nëse do të ketë rast në Gjykatën Supreme, ai do të zhvillohet në Kosovë.”

Shmangia nga afatet procedurale është e paraparë në rregulloren e Kuvendit. Ndërkohë, projektligji kishte marrë më herët mbështetjen parimore nga Komisioni për Legjislacion.