Kryesuesja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka kundërshtuar ashpër kërkesën e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) për shqyrtimin e dytë të Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, duke e cilësuar atë si “ndërhyrje brutale në rendin e ditës”.

Kërkesa e PDK-së u paraqit nga deputeti Arian Tahiri, i cili, përmes një mocioni procedural, propozoi shmangien nga afatet e përcaktuara në Rregulloren e Kuvendit për të mundësuar shqyrtimin e ligjit sot, në orën 17:30.

Sipas propozimit të Tahirit, amendamentet në projektligj duhet t’i adresoheshin Komisionit Funksional për Legjislacion deri në orën 14:30. Ky komision, më pas, do të duhej ta shqyrtonte projektligjin dhe t’ua paraqiste raportin komisioneve të përhershme deri në orën 15:30. Komisionet e përhershme do të kishin kohë deri në orën 16:30 për ta shqyrtuar projektligjin dhe raportet me rekomandimet do t’ia paraqisnin sërish Komisionit Funksional për Legjislacion. Përfundimisht, Komisioni Funksional do të duhej t’ia paraqiste Kuvendit raportin për Dhomat e Specializuara deri në orën 17:00, me qëllim që shqyrtimi i dytë të bëhej në seancën plenare në orën 17:30.

Menjëherë pas kësaj kërkese, kryesuesja Haxhiu ftoi partitë politike të takoheshin për të arritur një dakordim mbi çështjen e zgjedhjes së presidentit, duke nënvizuar se kjo është thelbësore. Ajo shprehu habinë për ndryshimin e shpejtë të qëndrimit brenda pak orësh.

“Është shumë e rëndësishme që të jemi bashkë dhe t’i japim vendit president. Prandaj ju ftoj që të takoheni, të merreni vesh dhe të vini në seancë,” theksoi Haxhiu.

Gjithashtu, ajo kundërshtoi kategorikisht mundësinë që vendi të shkonte në zgjedhje të parakohshme për shkak të mungesës së konsensusit për presidentin, duke deklaruar: “Ne nuk mund ta çojmë vendin në zgjedhje për shkak të presidentit.”