Besnik Tahiri, deputet i Aleancës, ka deklaruar se ende nuk kanë informacione për një seancë të planifikuar të Kuvendit apo për takime. Ai i ka bërë thirrje legjislativit të mblidhet sa më parë.
Tahiri kërkoi që deputetët të mblidhen për të votuar në lexim të dytë Ligjin për Dhomat e Specializuara.
Ai theksoi se të hënën, në ditën vendimtare për zgjedhjen e presidentit, ata kishin qëndruar në seancë, të bindur se ligji do të miratohej.
Deputeti shprehu zhgënjimin, duke deklaruar: “Ne qëndruam në seancë të bindur, me mirëbesim, në diskutim edhe me palët e tjera. Të kalohen 22 pika dhe në fund të thuhet se nuk ka më seancë, është e papranueshme. Jemi këtu për të parë se si mund të ecet, nëse ka vullnet. Kjo është dita e fundit për të arritur te votimi.”
Ai argumentoi se votimi është i domosdoshëm, duke shtuar: “Atje kemi katër burra të cilët presin që ky ligj të kalojë, që t’u jepet një shpresë se ky vend dhe ky shtet u qëndron pas në një rrethanë shumë të vështirë, si për ta ashtu edhe për ne.”
Tahiri ritheksoi se nuk ka pasur thirrje për seancë, as informacione për takime të planifikuara. “Ne si Aleancë nuk marrim pjesë në takime jashtë pikave të rendit të ditës dhe nuk duam të përfshihemi në atë pjesë. Megjithatë, nuk shohim asnjë tendencë për të arritur një marrëveshje,” theksoi ai.
Ndërkohë, deputeti i AAK-së ka theksuar se partia e tij, së bashku me PDK-në, nuk arrijnë të sigurojnë nënshkrimet e nevojshme për thirrjen e një seance të re parlamentare.
