Çlirim Haziri ka reaguar pas konferencës së kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, i cili i bëri një ofertë PDK-së lidhur me zgjedhjen e presidentit dhe votimin e ligjit për Gjykatën Speciale.
Haziri tha se protestuesit nuk përfaqësojnë asnjë parti politike, por janë qytetarë që prej 21 ditësh po kërkojnë votimin e ligjit për Specialen.
“Ne s’jemi PDK, s’jemi LDK as AAK. Ne jemi qytetarë të Kosovës që kemi dalë tash e 21 ditë për UÇK-në. Kërkesa jonë është e qartë, që ta votojnë ligjin për Specialen”, tha Haziri.
Ai theksoi se, sipas tij, ky ligj do t’i ndihmonte drejtësisë dhe do të parandalonte vendime që, siç pretendoi ai, nuk bazohen në fakte dhe prova.
“Ky ligj duhet të votohet dhe besoj se do të votohet sot. Nuk mendoj që kryeministri Kurti këto lojërat e tij politike i ka me qytetarët, por i ka me partitë politike”, u shpreh Haziri.
Haziri tha se kanë mbetur vetëm pak orë deri në përfundimin e afatit dhe se pas shpërndarjes së Kuvendit nuk do të ketë më deputetë apo përfaqësues në institucionet aktuale.
“UÇK-ja ka nevojë për institucionet e Kosovës. Ky popull ka pasur nevojë për UÇK-në, e UÇK-ja sot ka nevojë që të gjithë të jemi bashkë e ta votojmë ligjin”, tha ai.
Ai kritikoi Kurtin për mënyrën se si e ka trajtuar çështjen e ligjit, duke thënë se nuk është dashur të pritej deri në momentin kur zgjedhja e presidentit u bë emergjente.
“Që 21 ditë Albin Kurti na ka pasur këtu. Nuk është dashur me prit që kur t’i vijë emergjenca për president e ta trajtojë çështjen tonë me krahasime mes urgjencës e emergjencës. Këto përralla të tij nuk do t’i durojmë, nuk do t’i lejojmë”, deklaroi Haziri.
