Vrasje tragjike në Vitomericë: Kunati vret me sopatë Arlindën, avokatja zbulon fjalët e saj të fundit dhe akuzon shtetin
Një ngjarje tragjike ka tronditur mbrëmë Vitomericën e Pejës, ku Arlinda, një grua me shtetësi shqiptaro-amerikane, u vra brutalisht me sopatë nga kunati i saj, i cili dyshohet se është nga komuna e Deçanit. Pas krimit të rëndë, avokatja Adelina Hoxha ka reaguar publikisht, duke zbuluar mesazhin e dëshpëruar që i kishte dërguar viktima, si dhe duke ngritur akuza të rënda ndaj institucioneve.
Përmes një postimi në platformën Facebook, avokatja Hoxha shprehu dhimbjen e thellë për Arlindën, duke theksuar se viktima i ishte lutur asaj që të ndërhynte, pasi nuk shihte kuptim t’i vazhdonte jetën pa djalin e saj.
“Një grua që mu lut ta ndihmoja me gjithçka, sepse nuk i duhej jeta pa djalin e saj, u vra mbrëmë nga kunati me sopatë,” ka shkruar avokatja, duke e bërë publike tragjedinë personale të Arlindës.
Më tej, Adelina Hoxha nuk ka ngurruar të akuzojë direkt shtetin, duke pretenduar se vrasja e Arlindës nuk ishte thjesht një akt i kryer nga kunati, por rezultat i dështimit të institucioneve për të ofruar mbrojtje.
“Por jo, Arlindën e vrau shteti,” deklaroi prerazi Hoxha.
Avokatja ka paralajmëruar se gjatë ditës së nesërme do të publikojë dëshmi dhe detaje shtesë lidhur me këtë rast tronditës.
Sipas informacioneve të siguruara, viktima ishte një qytetare shqiptare me shtetësi amerikane, ndërsa i dyshuari për vrasjen është nga komuna e Deçanit.
