Naim Rashiti kërkon 100 milionë euro për angazhim ndërkombëtar rreth Dhomave të Specializuara

**Prishtinë** – Naim Rashiti, drejtor i Grupit Ballkanik për Politikë, ka propozuar që Qeveria e Kosovës të ndajë 100 milionë euro për mobilizimin e njohurive të thelluara dhe mekanizmave të specializuar ndërkombëtarë, në kuadër të proceseve që zhvillohen në Dhomat e Specializuara të Kosovës. Sipas tij, vendit i nevojitet një strategji institucionale që shkon përtej ndryshimeve ligjore apo reagimeve thjesht politike.

Duke folur në “Përballje Podcast” të Telegrafit, Rashiti theksoi se ky angazhim duhet të përfshijë ekspertë ndërkombëtarë të besueshëm, organizimin e konferencave e tryezave të diskutimit, si dhe komunikim të drejtpërdrejtë me qeveritë perëndimore.

“Ky vend duhet t’i ndajë që sot, kjo qeveri, 100 milionë euro për t’i mobilizuar të gjithë mekanizmat e specializuar ndërkombëtarë, për ta luftuar thelbin e çështjes”, deklaroi Rashiti, duke vlerësuar se shuma prej “10 apo 20 milionë eurosh nuk mjafton”.

Ai e lidhi propozimin e tij me domosdoshmërinë për të shqyrtuar dhe paraqitur në arenën ndërkombëtare pretendimet për shkelje të konventave dhe standardeve ndërkombëtare nga Dhomat e Specializuara. Rashiti kritikoi funksionimin e gjykatës, duke theksuar se ka pasur mungesë llogaridhënieje dhe shmangie nga normat ndërkombëtare. Këto kritika, sipas tij, duhet të mbështeten dhe argumentohen përmes ekspertëve dhe institucioneve të specializuara.

Drejtori i Grupit Ballkanik për Politikë theksoi se financimi i propozuar nuk duhet të kufizohet vetëm në mbështetjen e mbrojtjes në proceset gjyqësore në Hagë, por të shërbejë për një angazhim më të gjerë ndërkombëtar.

**Grup punues dhe njohuri të specializuara ndërkombëtare**

Rashiti propozoi krijimin e një grupi punues institucional dhe politik, ku të përfshihen edhe figura me përvojë nga forca të tjera politike. Ai theksoi se Kosova duhet të angazhojë mekanizma dhe ekspertë të specializuar në të drejtën ndërkombëtare, duke përfshirë qendra ku ndërthuren puna akademike dhe përvoja praktike.

Ai përmendi institucione dhe grupe ekspertësh në Holandë, Angli, Gjenevë dhe Nju-Jork si mundësi për të ndërtuar një argumentim të besueshëm rreth shqetësimeve që ngre ndaj proceseve në Dhomat e Specializuara.

“Kjo bëhet me tryeza, konferenca të mëdha ndërkombëtare. Kjo bëhet me lobim, shpjegim të qartë për qeveritë perëndimore”, sqaroi Rashiti. Ai vlerësoi se mobilizimi qytetar është i rëndësishëm, por duhet të shoqërohet me investim institucional dhe punë të vazhdueshme me ekspertët ndërkombëtarë.

**Reagim i vonshëm nga të gjitha palët**

Rashiti kritikoi vonesën e institucioneve dhe partive politike në trajtimin e kësaj çështjeje. Përgjegjësinë, sipas tij, nuk e bart vetëm Qeveria aktuale, pasi gabime janë bërë që nga procesi i themelimit të gjykatës.

“Absolutisht e vonshme, nga të gjitha palët”, tha ai për reagimin e Kosovës.

Lidhur me ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara, Rashiti e cilësoi çështjen komplekse dhe sqaroi se nuk merr përsipër të japë interpretim juridik të tyre. Megjithatë, ai kërkoi shfrytëzimin e instrumenteve të mundshme, krahas ndërtimit të një strategjie më të gjerë.

Sipas tij, institucionet tani duhet të konsolidojnë reagimin dhe argumentimin e Kosovës përmes njohurive të thelluara ndërkombëtare, me burime financiare dhe koordinim politik.

“Ideja është si ta konsolidojmë reagimin dhe shpjegimin”, theksoi Rashiti.