Naim Murseli, i dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen në mënyrë dinake të bashkëshortes së tij, Liridona Ademajt, ka paraqitur ankesë kundër aktgjykimit të shkallës së parë, duke kërkuar ulje të dënimit.

Avokatët e Murselit kërkojnë anulimin e aktgjykimit për shkak të shkeljeve procedurale dhe penale të pretenduara. Si alternativë, ata kundërshtojnë edhe masën e dënimit, duke kërkuar shqiptimin e një dënimi më të butë.

Sipas ankesës së mbrojtjes, aktgjykimi i shkallës së parë përmban kundërthënie ndërmjet pjesës urdhëruese (dispozitivit) dhe arsyetimit. Gjykata, sipas tyre, nuk i ka trajtuar në mënyrë të mjaftueshme disa nga pretendimet dhe propozimet e paraqitura gjatë procesit gjyqësor.

Mbrojtja argumenton se gjykata nuk ka dhënë arsyetim të mjaftueshëm për refuzimin e disa propozimeve, përfshirë rindërtimin e vendit të ngjarjes dhe administrimin e provave të tjera që, sipas avokatëve, mund të kishin ndikuar në sqarimin e rrethanave të rastit.

Një nga pikat kryesore të ankesës lidhet me mënyrën se si gjykata i ka vlerësuar provat materiale dhe dëshmitë e administruara. Mbrojtja pretendon se provat janë analizuar në mënyrë të përgjithësuar dhe selektive, duke mos u dhënë peshë të mjaftueshme atyre që, sipas saj, mund të mbështesnin versionin e të akuzuarit. Avokatët vlerësojnë se disa nga përfundimet e gjykatës nuk përputhen me përmbajtjen e provave dhe dëshmive.

Në ankesë, mbrojtja i referohet edhe parimit të prezumimit të pafajësisë dhe standardit të provimit përtej dyshimit të arsyeshëm. Sipas saj, nuk ekzistojnë prova të pakontestueshme që i lidhin veprimet e Murselit me të gjitha elementet e veprës penale për të cilën është dënuar.

**Kontestimi i veprimeve në vendngjarje dhe motiveve**

Një pjesë e rëndësishme e ankesës ka të bëjë me interpretimin e ekspertizës mjeko-ligjore për hematomën e konstatuar në krahun e majtë të Liridona Ademajt. Aktgjykimi e ka vlerësuar këtë gjurmë si dëshmi se Murseli e kishte mbajtur viktimën për krahu, me qëllim që ajo të mos i shmangej plumbit të shkrepur nga Granit Plava. Megjithatë, mbrojtja pretendon se ky përfundim nuk mbështetet drejtpërdrejt nga deklarimet e ekspertit mjeko-ligjor, pasi ai nuk ka përcaktuar saktësisht mekanizmin shkaktar dhe nuk ka përjashtuar mundësinë e shkaktimit nga një ndikim tjetër.

Mbrojtja kundërshton gjithashtu përfundimin se Murseli e ka kryer vrasjen në bashkëkryerje me Granit Plavën. Sipas saj, aktgjykimi nuk i ka arsyetuar mjaftueshëm elementet subjektive dhe objektive të bashkëkryerjes, përfshirë ekzistencën e një vendimi të përbashkët për kryerjen e veprës penale dhe kontributin konkret të Murselit. Avokatët pretendojnë se gjykata nuk e ka shpjeguar në mënyrë të detajuar as ekzistencën e dashjes direkte dhe elementet që karakterizojnë vrasjen në mënyrë dinake, për të cilat Murseli është shpallur fajtor.

Një tjetër çështje e ngritur nga mbrojtja lidhet me deklaratat që Murseli ka dhënë gjatë fazës së hetimeve. Sipas ankesës, Murseli ka pretenduar se deklaratat e dhëna në polici janë marrë nën presion dhe dhunë fizike. Mbrojtja thekson se ai kishte paraqitur ankesë edhe në Inspektoratin Policor të Kosovës, duke kundërshtuar përfundimin e gjykatës se pretendimet për trajtimin nga policia nuk ishin dëshmuar.

Mbrojtja kundërshton edhe mënyrën se si gjykata ka interpretuar gjendjen financiare dhe detyrimet e Murselit, si dhe policën e sigurimit të jetës të Liridona Ademajt. Këto rrethana janë vlerësuar në aktgjykim si motive të mundshme financiare. Por mbrojtja pretendon se përfundimet për motivin dhe planifikimin e vrasjes nuk janë mbështetur me arsyetim të mjaftueshëm dhe prova konkrete, duke theksuar se ekzistenca e detyrimeve financiare nuk mjafton për të vërtetuar planifikimin e vrasjes së bashkëshortes.

**Kërkesat drejtuar Gjykatës së Apelit**

Përveç kërkesës për anulimin e aktgjykimit, mbrojtja ka kundërshtuar edhe dënimin me burgim të përjetshëm, duke kërkuar që, nëse Gjykata e Apelit nuk i pranon pretendimet për shkelje procedurale dhe ligjore, të shqyrtojë mundësinë e shqiptimit të një dënimi më të butë. Në këtë pjesë të ankesës, mbrojtja i referohet rrethanave personale të Murselit, faktit që, sipas saj, ai nuk ka qenë i dënuar më parë me aktgjykim të formës së prerë dhe pretendimit se para rastit kishte gëzuar respekt në rrethin ku jetonte dhe vepronte.

Në përfundim, mbrojtja kërkon që Gjykata e Apelit të shqyrtojë pretendimet për shkelje të dispozitave të procedurës penale, vlerësim të gabuar ose jo të plotë të gjendjes faktike dhe zbatim të gabuar të ligjit penal. Kërkesa kryesore është anulimi i aktgjykimit të shkallës së parë, ndërsa kërkesa alternative është zbutja e dënimit me burgim të përjetshëm.

Vendimi përfundimtar lidhur me këto pretendime i takon Gjykatës së Apelit, e cila duhet të vlerësojë bazueshmërinë e ankesës dhe argumentet e paraqitura nga mbrojtja.