**Gruda (PDK): Moszbatimi i Ligjit mund të hapë rrugë mbylljes së Gjykatës Speciale**
Përparim Gruda, deputet i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), deklaroi në emisionin “Debat Plus” në RTV Dukagjini se mosimplementimi i ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara mund t’i hapë Kosovës rrugë drejt shqyrtimit të mundësisë së shkëputjes së marrëveshjes me Bashkimin Evropian për Gjykatën Speciale.
Gruda theksoi se jo të gjitha dispozitat ligjore mund të kundërshtohen dhe se, sipas tij, institucionet evropiane mund të hartojnë raporte që do të shërbenin si bazë për dialogun me BE-në.
“Hapi tjetër, nëse ky ligj nuk gjen zbatim, gjë për të cilën unë jam i bindur se nuk do të ndodhë, pasi kontestohen vetëm disa nene të tij, mbikëqyrja s’mund të kundërshtohet. Ne ndërtojmë një rrugë për dialog dhe e hapim mundësinë për të shkëputur marrëveshjen dhe për të mbyllur Gjykatën Speciale. Pse? Sepse mosrespektimi i këtij ligji dhe i raporteve që do të hartohen nga institutet më të mira në Evropë, ia hap rrugën Kosovës për ta shfuqizuar marrëveshjen”, tha Gruda.
Ai shtoi se “një shtet mund ta shfuqizojë marrëveshjen edhe në mënyrë arbitrare. Ne mund t’i themi BE-së nesër se duam të votojmë një ligj që shkëput marrëveshjen, me 80 vota, nuk nevojiten dy të tretat e dyfishta. Nëse BE-ja ndihet e dëmtuar në arbitrazh, mund të na kërkojë kompensim monetar. Por, ne mund të dalim nga marrëveshja në çdo mënyrë.”
Gruda bëri të ditur se pas hyrjes në fuqi të ndryshimeve të Ligjit për Dhomat e Specializuara, Gjykata Speciale nuk do të jetë në gjendje të arrestojë asnjë komandant të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) për krime lufte.
Ai theksoi se ligji, brenda dy ditësh, do t’i dërgohet Presidentes për nënshkrim.
“Asnjë komandant i UÇK-së nuk mund të arrestohet nga Haga pas hyrjes në fuqi të ligjit. Në momentin që hyn ky ligj, asnjë komandant i UÇK-së nuk do të mund të arrestohet për krime lufte nga Gjykata Speciale”, deklaroi Gruda.
