**Shpejtësi e rrezikshme në Klinë: 158 km/h në zonë të kufizuar 50, gjobë dhe ndalim drejtimi (VIDEO)**

Policia e Kosovës ka ndëshkuar një shofer në Klinë, pasi ky i fundit u kap duke vozitur me shpejtësi ekstreme prej 158 kilometrash në orë, në një zonë ku kufizimi i lejuar ishte vetëm 50 km/h.

Ngjarja ka ndodhur në fshatin Klinavc të Klinës. Identifikimi i shoferit u bë i mundur pas publikimit të një videoje në rrjetet sociale, e cila shfaqte shkeljen e rëndë.

Sipas njoftimit të Policisë, videoja denoncuese u pranua në Stacionin Policor në Klinë më 11 tetor. Menjëherë pas kësaj, u ndërmorën veprimet e nevojshme hetimore dhe operative, duke çuar në identifikimin e ngasësit më 12 tetor. Ndaj tij u shqiptuan masat ndëshkuese përkatëse.

“Në bazë të Ligjit për Rregullat e Trafikut Rrugor, ngasësit i janë shqiptuar gjobë prej 300 eurosh, tri pikë negative dhe ndalimi i të drejtës së drejtimit të mjeteve motorike për një periudhë tre-mujore,” citohet në njoftimin e Policisë, transmetuar nga Klankosova.tv.

Drejtoria Rajonale e Policisë në Pejë ka shfrytëzuar rastin për t’u bërë apel qytetarëve që të respektojnë rregullat e trafikut. “Drejtoria Rajonale e Policisë në Pejë apelon te të gjithë pjesëmarrësit në trafik që t’i respektojnë kufizimet e shpejtësisë dhe rregullat e trafikut rrugor, duke kontribuar kështu në rritjen e sigurisë për të gjithë pjesëmarrësit në komunikacion,” thuhet në apelin e tyre.