**Presidentja Shiroka Pula takon familjet e ish-krerëve të UÇK-së: “Do të veprojmë në mbështetje të përpjekjeve për drejtësi”**

Presidentja e Republikës së Kosovës, Justina Shiroka Pula, vizitoi sot familjet e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit. Këta ish-krerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës po përballen me procesin gjyqësor në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.

Gjatë vizitave, Presidentja shprehu solidaritetin me familjet, duke theksuar se kjo është një periudhë sfiduese si për to, ashtu edhe për Republikën e Kosovës.

Ajo ritheksoi se e drejta e apelit është pjesë thelbësore e procesit gjyqësor dhe se Kosova do të vazhdojë t’i mbështesë ish-krerët e UÇK-së në këtë fazë, në përputhje me përgjegjësitë dhe mundësitë institucionale.

Sipas Presidentes Shiroka Pula, lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte një luftë për liri, e zhvilluar përballë shtypjes, dhunës dhe krimeve të regjimit serb kundër popullit të Kosovës. Ajo theksoi rëndësinë e mbrojtjes së të vërtetës historike dhe dinjitetit të të gjithë atyre që kontribuuan për lirinë e vendit.

Gjatë takimeve, Presidentja informoi familjet se, në përputhje me afatet ligjore, do të ndërmarrë hapa lidhur me Ligjin për Dhomat e Specializuara.

“Familjet nuk janë vetëm në këtë rrugëtim. Presidenca e Republikës së Kosovës do të mbetet e hapur për to, duke vepruar brenda kompetencave të saj kushtetuese dhe ligjore në mbështetje të përpjekjeve për drejtësi,” ka theksuar presidentja Shiroka Pula.