Ramush Haradinaj, ish-kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), ka kujtuar gjeneralmajorin Adrian Krasniqi, duke e cilësuar atë mik, bashkëluftëtar në rrugën e lirisë, si dhe njeri zemërbardhë e guximtar i pashoq. Kujtimi u bë përmes një postimi, ku Haradinaj theksoi se Krasniqi mishëronte frymën e lirisë për të cilën luftuan.
“Gjeneralmajor Adrian Krasniqin e kisha mik dhe bashkëluftëtar në rrugën e lirisë. Zemërbardhë e guximtar i pashoq, ai mishëronte frymën e lirisë për të cilën luftuam dhe për të cilën ai dha jetën”, ka shkruar Haradinaj.
Ai theksoi më tej se Adrian Krasniqi mbetet shembull dhe udhërrëfyes për brezat e rinj, duke i ndihmuar ata të kuptojnë çmimin e lirisë dhe thellësinë e dashurisë për atdheun.
“Shembull e udhërrëfyes për brezat, për ta kuptuar se sa kushton liria dhe sa e madhe është dashuria për atdheun. Lavdi Adrianit dhe gjithë të rënëve për liri!”, ka përfunduar Haradinaj.
