Samiti i tetë Digjital i Ballkanit Perëndimor, i zhvilluar për dy ditë në Herceg Novi të Malit të Zi, përfundoi dje. Në këtë takim, ku morën pjesë përfaqësues të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, Bashkimit Evropian (BE), organizatave ndërkombëtore dhe drejtues të industrisë digjitale, u diskutua për përparimin e transformimit digjital rajonal dhe integrimin në Tregun e Vetëm Digjital të BE-së. Një ndër arritjet kryesore ishte mirëpritja e udhërrëfyesit për Inteligjencën Artificiale, i cili pritet të miratohet në Samitin e ardhshëm të Liderëve të Procesit të Berlinit.
Samiti u organizua nga Ministria e Administratës Publike e Malit të Zi, me mbështetjen e Qeverisë malazeze, në bashkëpunim me Këshillin për Bashkëpunim Rajonal (RCC), Bashkimin Evropian dhe partnerë të tjerë. Ky takim u mbajt në kuadër të Kryesimit të Malit të Zi të Procesit të Berlinit për vitin 2026.
Udhërrëfyesi për Inteligjencën Artificiale, i hartuar nga RCC dhe partnerët rajonalë për të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë Kosovën, u mirëprit në samit. Ky dokument përcakton udhëzime të përbashkëta për zhvillimin dhe përdorimin e përgjegjshëm të Inteligjencës Artificiale (IA). Ai synon të forcojë përgatitjen e rajonit ndaj IA-së, të rregullojë qeverisjen e saj, të nxisë inovacionin dhe të sigurojë përafrimin me normat evropiane.
Inteligjenca Artificiale (IA) ishte një ndër temat kryesore të Samitit. Një panel i posaçëm, i titulluar “Inteligjenca artificiale: Mundësitë, sfidat dhe perspektivat e së ardhmes”, u drejtua nga Tanja Maraš, Eksperte e Lartë për Ndërlidhjen Digjitale në RCC. Paneli, me pjesëmarrës nga Komisioni Evropian, organizata ndërkombëtare, bota akademike dhe sektori i teknologjisë, analizoi mënyrat sesi rajoni mund t’i shndërrojë ambiciet në fushën e IA-së në zbatime praktike, të nxisë inovacionin dhe të rrisë konkurrueshmërinë ekonomike.
Zonja Maraš theksoi se sfida nuk është thjesht adoptimi i IA-së, por sigurimi që ajo të sjellë vlerë reale për ekonomitë, institucionet publike, bizneset dhe qytetarët, duke ndërtuar besim dhe duke parandaluar lënien pas dore të ndonjë pjese të rajonit. Ajo nënvizoi rëndësinë e bashkëpunimit rajonal, investimeve në aftësi dhe infrastrukturë, si dhe zhvillimit të përgjegjshëm të IA-së.
Samiti përfundoi duke përcaktuar disa prioritete për përshpejtimin e integrimit digjital rajonal. Këto përfshijnë njohjen reciproke të identiteteve digjitale, zbatimin e Portofolave të Identitetit Digjital, shërbime roaming më të arsyeshme me BE-në, forcimin e bashkëpunimit në sigurinë kibernetike dhe përmirësimin e ndërlidhjes digjitale.
