Pas një vere me protesta paqësore në Shqipëri, këtë javë zemërimi ka shpërthyer në dhunë e flakë në rrugët e Tiranës. Studentët thonë se po protestojnë kundër rritjes së kostove të arsimit dhe kundër korrupsionit. Kryeministri Edi Rama thotë se nuk do të japë dorëheqje dhe se kjo protestë nuk është e studentëve.

Gazeta Express

Marshet paqësore protestuese që nisën në pranverë në Tiranë janë transformuar këtë javë në një skenë dhune e flakësh në rrugët e kryeqytetit shqiptar.

“Revolucioni i Flamingove”, një zemërim i konsoliduar në manifestime masive me pankarta kreative, kishte nisur në pranverë për të kundërshtuar një projekt për ndërtimin e një resorti luksoz në Zvërnec, afër Vlorës, i lidhur me Jared Kushner, dhëndrin e presidentit amerikan, Donald Trump. Më pas kërkesat u zgjeruan dhe pakënaqësitë e shprehura kaluan përtej mbrojtjes së mjedisit. Kryeministrit shqiptar, Edi Rama iu kërkua dorëheqja.

Deri këtë të martë, protestat e përnatshme në të cilat javët e para merrnin pjesë familjarë, fëmijë e të moshuar, u duk se po zbeheshin, me numrin e pjesëmarrësve që ishte zvogëluar.

Por të martën Shqipëria përjetoi një ditë trazirash në kryeqytet, pasi disa studentë u mblodhën te Ministria e Arsimit në Tiranë, duke e kthyer pakënaqësinë sociale sërish në qendër të vëmendjes.

Studentët që thanë se po protestonin kundër rritjes së kostove të arsimit dhe kundër korrupsionit, hodhën gurë, tulla dhe sende të tjera të forta drejt forcave policore, të cilat u kundërpërgjigjën me autobotë me ujë dhe gaz lotsjellës, në një përleshje të dhunshme të cilës nuk mundi t’i japë fund.

Protesta u shndërrua shpejt në një përballje të dhunshme mes protestuesve dhe forcave të rendit, dhe si e tillë po vazhdoi edhe të nesërmen dhe po vazhdon edhe sot.

Por tubimi u shndërrua shpejt në një përballje të dhunshme mes protestuesve dhe forcave të rendit. Policia përdori autobotë me ujë dhe gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën, ndërsa një pjesë e protestuesve u kundërpërgjigjën duke hedhur gurë, tulla, kapsolla dhe sende të tjera të forta.

Protestuesit thyen portën e ndërtesës së Kuvendit, ua vunë flakën disa objekteve institucionale dhe disa bizneseve private në kryeqytet në protestën që u përshkallëzua në ditën e dytë radhazi dhe përplasja e dhunshme me Policinë vazhdoi. U shkulën shenja komunikacioni, u përmbysën e u dogjën edhe kontejnerë të mbeturinave të lënë si barrikada në rrugë.

Shumë qytetarë e policë të lënduar, dhe më shumë të arrestuar është bilanci i protestave të dhunshme që po vazhdojnë edhe sot, në ditën e tretë.

Kryeministri Edi Rama e hodhi poshtë mundësinë e dorëheqjes në një deklaratë të dhënë për agjencinë ndërkombëtare të lajmeve, Reuters, e cila raportoi edhe drejtpërdrejt nga protestat në kryeqytetin e Shqipërisë.

Rama thotë se dhuna po e pengon Shqipërinë drejt synimit për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian, ndërsa sot në mëngjes u shfaq nga objekti i djegur i Kolegjit të Europës. Tha se kjo protestë nuk është e studentëve.

“Këto janë të tjera duar…Këto janë duart e një opozite e cila me maska të verbërish përpara me zjarr dhe me hekur kërkon ta rikthejë Shqipërinë aty ku Shqipëria nuk do të rikthehet kurrë”, tha ai në një video të publikuar në Facebook.

Zyra e Bashkimit Europian në Shqipëri, në një deklaratë publike sot dënoi “dhunën e përshkallëzuar dhe shkatërrimin e pronës publike dhe private”.

Studentët paralajmëruan se do të vazhdojnë të protestojnë, ndërsa thonë se dolën në rrugë të nxitur nga pakënaqësitë lidhur me kushtet në universitete, koston e studimeve, mungesën e mbështetjes financiare nga shteti dhe vështirësitë për të gjetur punë pas diplomimit.

Protestuesit po bëjnë thirrje për bojkot të mësimit dhe tubime edhe më masive, ndërsa sot protesta u shtri edhe në disa qytete tjera.

Organizatorët thonë se kërkesat e paraqitura në protestat studentore të vitit 2018 nuk janë përmbushur plotësisht. Në dimrin e atij viti, mijëra studentë kishin protestuar në Tiranë kundër tarifave të larta universitare, kostove të provimeve të mbartura dhe kushteve të dobëta të jetesës në konvikte, duke paraqitur tetë kërkesa për reformimin e arsimit të lartë.

Qeveria e Ramës kishte marrë disa masa atëherë, përfshirë uljen e tarifave, por pakënaqësitë, sidomos ato lidhur me financimin e universiteteve, cilësinë e arsimit dhe përfaqësimin e studentëve po vazhdojnë. Këtë herë, me kërkesa përtej atyre arsimore.