**Kontrabandë e pazakontë në Aeroportin e Këln-Bonit: Pasagjeri tentoi të fuste mbi 90 gjarpërinj dhe hardhuca**
Oficerët doganorë në Aeroportin Këln-Bon të Gjermanisë ndaluan një burrë i cili tentoi të kontrabandonte mbi 90 gjarpërinj dhe hardhuca, përfshirë specie helmuese, duke shkaktuar habi me zbulimin e pazakontë.
Sipas shërbimit doganor, 45-vjeçari meksikan, zjarrfikës me profesion, dukej “dukshëm i shqetësuar” teksa përpiqej të kalonte nëpërmjet korridorit të gjelbër, të destinuar për udhëtarët që nuk kanë asgjë për të deklaruar.
Oficerët kryen një test për lëndë narkotike, i cili rezultoi pozitiv për kokainë. Megjithëse asnjë drogë nuk u gjet në valixhe, kontrolli zbuloi 37 gjarpërinj të gjallë helmues dhe 55 hardhuca.
Mes kafshëve të zbuluara ishin nepërka, gjarpërinj me zilje dhe iguana. Këto ishin fshehur brenda shisheve të shamponit dhe kremrave, enëve plastike, si dhe çorapeve të mbështjella.
“Kolegët e mi në aeroport janë mësuar me gjithfarë objektesh kur bëhet fjalë për suvenire në valixhe, por nuk kemi hasur kurrë më parë 37 gjarpërinj të gjallë helmues dhe 55 hardhuca nga Meksika,” deklaroi Jens Ahland, zëdhënës i zyrës doganore të Këlnit.
Ahland theksoi se disa nga kafshët transportoheshin në kushte çnjerëzore, gjë që rezultoi në ngordhjen e shumë prej tyre gjatë udhëtimit nga Meksika, nëpërmjet Stambollit, drejt Gjermanisë.
Burri, identiteti i të cilit nuk është bërë publik, u tha zyrtarëve se po i transportonte kafshët si një favor për një të njohur nga Brazili. Autoritetet gjermane ia refuzuan hyrjen në vend dhe e kthyen në Stamboll me avion. Ndërkohë, punonjësit e një ferme gjarpërinjsh në Gjermani kanë marrë nën kujdes kafshët që mbijetuan.
Sipas autoriteteve doganore, vitin e kaluar në mbarë Gjermaninë u regjistruan më shumë se 1 300 raste sekuestrimi, që përfshinin mbi 56 600 kafshë dhe bimë të mbrojtura, si dhe produkte të përftuara prej tyre.
Një incident i ngjashëm ndodhi në Aeroportin Këln-Bon gjashtë vjet më parë, kur oficerët doganorë zbuluan 26 zvarranikë të rrallë. Dhjetë nga kafshët ngordhën gjatë udhëtimit; ato ishin fshehur në pako që përmbanin lodra dhe ëmbëlsira, të dërguara nga Meksika për blerës privatë në Gjermani.
