Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka njoftuar fillimin e sezonit ngrohës 2026/2027, duke theksuar se furnizimi me ngrohje nga “Termokos” po zhvillohet pa probleme. Ai ka vënë theksin te nevoja për zgjerimin e rrjetit dhe rritjen e kapaciteteve në të ardhmen.
Rama bëri të ditur se është diskutuar edhe për ecurinë e projektit “Solar for Kosovo”, me synimin që punimet të nisin sa më shpejt, duke kontribuar në një ngrohje më të qëndrueshme dhe më të përballueshme për qytetarët.
Kreu i komunës theksoi se stafi teknik ka konfirmuar funksionimin optimal të sistemit të ngrohjes në kryeqytet, pa hasur në probleme deri tani dhe pa pritur të tilla në të ardhmen. Ai shtoi se është folur edhe për domosdoshmërinë e shtrirjes së rrjetit të ngrohjes në zona të ndryshme të Prishtinës, si dhe për mundësinë e rritjes së kapacitetit aktual.
Rama sqaroi se nga 25 mijë pika që paguajnë aktualisht për shërbimet e “Termokosit”, 17 mijë prej tyre kanë të instaluar matësit, ndërsa synohet që ky proces të vazhdojë edhe për 8 mijë pikat e mbetura.
Ai e quajti projektin “Solar for Kosovo” si madhor, theksoi urgjencën e nisjes së punimeve për të transformuar kryeqytetin në një qytet ambiental, me ngrohje më të mirë, më miqësore ndaj mjedisit dhe më të lirë për qytetarët. Rama po ashtu shprehu besimin se të gjithë qytetarët e kyçur në Termokos po e ndjejnë ngrohjen, e cila në mënyrë progresive do të intensifikohet në ditët në vijim.
Ndërkohë, kryeshefi i ri i “Termokosit”, Bersant Bekaj, bëri të ditur se po shqyrtohet gjendja nëpër lagje dhe po analizohen raportet për problemet e mundshme me furnizimin me ngrohje. “Tani jemi në procedurë të shqyrtimit të problematikave për çdo lagje, marrim raportet dhe i adresojmë ato,” u shpreh Bekaj.
