Inspektorati Policor i Kosovës ka rekomanduar suspendimin e dy zyrtarëve policorë të Stacionit Policor në Gjilan, të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Gjilan, nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Sipas të dhënave fillestare të hetimit, më 15 tetor 2026 rreth orës 23:00 në Gjilan, zyrtarët policorë dyshohet se kanë ndaluar një qytetar dhe e kanë futur në veturën zyrtare, ku pretendohet se ndaj tij është ushtruar abuzim verbal dhe i është cenuar privatësia, përfshirë marrjen e telefonit të tij pa urdhër të Prokurorit të Shtetit.
Sipas njoftimit zyrtar, dyshimet fillestare sugjerojnë se veprimet e pretenduara mund të kenë ndërlidhje me një ankesë të parashtruar nga i njëjti qytetar në korrik të vitit 2026, ndaj zyrtarëve policorë në fjalë nën dyshimin për keqtrajtim dhe tejkalim të autorizimeve policore.
“Inspektorati Policor i Kosovës mbetet i përkushtuar në ushtrimin e mandatit ligjor për hetimin e dyshimeve për veprime të kundërligjshme nga zyrtarët policorë, me qëllim të garantimit të llogaridhënies dhe fuqizimit të integritetit policor” thuhet në njoftim.
