Një i mitur dyshohet se është sulmuar me mjet të mprehtë në rrugën “Onufri” në Pejë. I dyshuari, po ashtu i mitur, është arrestuar nga Policia e Kosovës.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Pejës, Sheremet Elezaj ka thënë për Gazetën Express se rasti është raportuar rreth orës 15:50, pasi emergjenca e spitalit i ka njoftuar se një person ishte dërguar për trajtim mjekësor për shkak të një plage që dyshohet se ishte shkaktuar nga një mjet i mprehtë.

Policia ka bërë të ditur se lidhur me rastin po ndërmerr veprimet e nevojshme hetimore në koordinim me institucionet përkatëse.

“Rreth orës 15:50, jemi njoftuar nga emergjenca e spitalit se një person ishte dërguar për trajtim mjekësor për shkak të plagës që dyshohet se ishte shkaktuar nga një mjet i mprehtë. Njësitet e nevojshme policore menjëherë i janë përgjigjur rastit dhe, sipas hetimeve fillestare, dyshohet se viktima, mashkull i mitur, është sulmuar me mjet të mprehtë nga një person tjetër, po ashtu mashkull i mitur, në rrugën “Onufri” në Pejë. I dyshuari është arrestuar. Lidhur me rastin, jemi duke ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore në koordinim me institucionet përkatëse”, ka thënë ai.