Të dielën, Franca u zgjua përballë skenave të dëmeve të përhapura, pas një dite trazirash dhe demonstratash; vitrina të thyera, makina të djegura, biçikleta të shkrumbuara, si dhe grumbuj xhamash e mbeturinash në trotuaret e Parisit, ka raportuar BBC, transmeton Gazeta Express.
Të shtunën, policia arrestoi rreth 1,800 persona, ndërsa rreth 550,000 demonstrues dolën në rrugë për protesta që, në pjesën më të madhe, ishin paqësore.
Ata protestonin kundër rritjes së çmimeve të karburanteve, kostos së jetesës dhe përkeqësimit të shërbimeve publike, përfshirë shkollat.
Grupe trazirëbërësish – disa prej të cilëve të veshur me të zeza, me maska dhe kapuça që u mbulonin fytyrën – dolën gjithashtu në Paris, Marsejë dhe qytete të tjera; disa prej tyre i vunë zjarrin makinave dhe ndërtesave.
Në Paris, Marsejë, Lilë, si dhe në zona të tjera, u regjistruan grabitje të shumta.
Presidenti Emmanuel Macron pritej t’i drejtohej kombit të dielën, në orën 20:00 (me orën lokale), pas ngjarjeve që janë përshkruar si një nga shpërthimet më të rënda të trazirave në historinë moderne franceze.
Në Paris, protestuesit u përplasën me policinë e rendit, e cila përdori gaz lotsjellës dhe topa uji kundër turmës. Gjatë ditës, disa grupe ndezën zjarre në rrugë dhe dogjën automjete. Të paktën një restorant u shkatërrua plotësisht nga zjarri, ndërsa BBC-ja raportoi për përleshje që shpërthyen midis disa prej grupeve të pranishme.
Policia e rendit u pa duke ndërhyrë me forcë ndaj një turme në qendër të Parisit, duke goditur disa persona me shkopinj gome.
