Barcelona do të përgatitet për sfidën më të madhe të sezonit të ri, teksa të martën do të përballet me Paris Saint-Germainin.

Katalunasit tashmë po kalojnë një krizë të vogël para kësaj ndeshjeje, pasi Jules Kounde dhe Eric Garcia janë të dy në dyshim pas goditjeve të marra në ndeshjen ndaj Real Betisit.

Megjithatë, duket se Barcelona ka marrë një lajm të mirë, pasi edhe PSG-ja do të jetë pa njërin prej mbrojtësve të saj kryesorë për këtë përballje vendimtare.

PSG-ja ka konfirmuar se Nuno Mendes nuk do të jetë në dispozicion të Luis Enriques kur kampionët francezë të përballen me Barcelonën të martën.

Kjo vjen pas një lëndimi të ri që mbrojtësi i krahut të majtë pësoi në fitoren e fundit të PSG-së në kampionat ndaj Strasburgut.

“Pasi pësoi një lëndim në kofshën e majtë gjatë ndeshjes së mbrëmshme kundër RC Strasbourg Alsace, Nuno Mendes nuk do të jetë i gatshëm për javët e ardhshme”, konfirmoi klubi në një komunikatë.

Mungesa e Nunos mund të jetë një përforcim i madh për Barcelonën, pasi reprezentuesi portugez zakonisht paraqet rrezik të madh në krahë me depërtimet e tij të shpeshta në sulm. Krahu i djathtë i mbrojtjes është një pikë veçanërisht e dobët për katalunasit.

Me Nuno Mendesin jashtë garës, Luis Enrique pritet t’i japë përparësi ish-lojtarit të Barcelonës, Lucas Dignes, për ta zënë vendin e tij në krahun e majtë të mbrojtjes.

Digne ka treguar formë të luhatshme që prej transferimit te PSG-ja gjatë verës, ndërsa rëniet e herëpashershme të përqendrimit mund të jenë një përparësi e madhe për Barcelonën.

Lamine Yamal, në veçanti, mund të paraqesë rrezik serioz për mbrojtjen e PSG-së në krahë, ndonëse Enrique e ka gjithashtu mundësinë ta aktivizojë Lucas Hernandezin, një alternativë shumë më defensive.

Sa i përket Barcelonës, përballimi i Mendesit dhe i një tjetër anësori në krah do të mund të ishte një detyrë e vështirë.

Por Flick mund të marrë frymë më lirshëm tani që Mendes nuk do të jetë më problem, megjithëse mbrojtja e Barcelonës do të vihet ende në sprovë të madhe nga sulmi i PSG-së, që ka në përbërje lojtarë si Khvicha Kvaratskhelia, Desire Doue, Maghnes Akliouche dhe Ousmane Dembele./GazetaExpress/