**Sulmohet Komisariati Nr. 3 në Tiranë, 10 Efektivë Policie të Plagosur; Reagon Drejtori Hita**

Dhjetë efektivë policie mbetën të plagosur mbrëmë në Tiranë pas një sulmi të dhunshëm me bomba molotov, lëndë piroteknike, gurë dhe sende të forta ndaj Komisariatit të Policisë Nr. 3. Persona të maskuar qëndrojnë pas këtij akti.

Lidhur me ngjarjen, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, e cilësoi sulmin si të rëndë dhe të paprecedentë. Sipas tij, ky akt rrezikoi jetën dhe shëndetin e punonjësve të policisë, si dhe sigurinë e personave të shoqëruar që ndodheshin brenda ambienteve të komisariatit. Hita theksoi prerazi se punonjësit e plagosur nuk kishin qenë të angazhuar në veprime policore gjatë protestave të ditëve të mëparshme.

“Dua të jem shumë i qartë për të gjithë se sulmi ndaj një komisariati policie nuk është protestë,” deklaroi Hita. “Goditja e punonjësve të Policisë me bomba molotov dhe mjete të tjera të rrezikshme është dhunë e rëndë, e cila dënohet nga ligji dhe nuk mund të justifikohet në asnjë rrethanë.”

Drejtori bëri me dije se prej gjashtë ditësh, punonjësit e Policisë së Shtetit po përballen me akte të përsëritura dhune, duke përfshirë përdorimin e gurëve, lëndëve piroteknike, sferave metalike dhe bombave molotov, të cilat kanë shkaktuar plagosjen e disa punonjësve të tjerë.

Policia e Shtetit, theksoi Hita, po punon për identifikimin e të gjithë personave të përfshirë në këto sulme, dokumentimin e veprimeve të tyre dhe referimin e provave pranë organeve kompetente të drejtësisë. “Çdo person për të cilin provohet përgjegjësia penale do të përballet me pasojat që parashikon ligji,” garantoi ai.

Ai nënvizoi se askush nuk mund ta përdorë të drejtën kushtetuese të protestës si mburojë për të ushtruar dhunë, për të sulmuar punonjësit e Policisë apo për të shkatërruar pronën publike dhe private. Ndërsa e drejta për të protestuar në mënyrë paqësore garantohet dhe mbrohet nga Policia, po aq i qartë është detyrimi për të ndërhyrë, në përputhje me ligjin, ndaj çdo veprimi që cenon jetën, sigurinë dhe rendin publik.

Hita udhëzoi të gjitha strukturat policore të vazhdojnë përmbushjen e detyrës me profesionalizëm, vetëpërmbajtje dhe vendosmëri, duke respektuar rigorozisht ligjin dhe parimin e proporcionalitetit.

Drejtori i bëri thirrje të gjithë personave të përfshirë në veprime të dhunshme që t’i ndërpresin menjëherë ato, duke paralajmëruar se “çdo sulm i mëtejshëm ndaj punonjësve të Policisë, institucioneve apo pronës së qytetarëve do të marrë përgjigjen e parashikuar nga ligji.”

Gjithashtu, apeloi te qytetarët, veçanërisht te ata që ushtrojnë në mënyrë paqësore të drejtën e protestës, që të distancohen nga personat që përdorin dhunën dhe të mos lejojnë që veprimet e tyre të rrezikojnë sigurinë e të tjerëve.

Në mbyllje, Hita theksoi se Policia e Shtetit “nuk është kundërshtare e qytetarëve” dhe është në shërbim të tyre, duke uruar shërim të shpejtë kolegëve të plagosur dhe shprehur mirënjohje për profesionalizmin dhe sakrificën e çdo punonjësi policie. Ai siguroi se Policia do të mbetet në krye të detyrës, duke vepruar me vendosmëri, profesionalizëm dhe përgjegjësi, gjithmonë brenda kufijve të ligjit, për sigurinë e qytetarëve, mbrojtjen e jetës dhe garantimin e rendit publik.