Juventusi duket se ka bërë një gabim të madh me transferimin e Randal Kolo Muanit.

Për sulmuesin francez, klubi torinez ka shpenzuar 50 milionë euro, por paraqitjet e tij të fundit kanë ngritur shumë pikëpyetje, sidomos për aftësinë e tij për të shënuar në Serie A.

Një tjetër paraqitje zhgënjyese

Juventusi përjetoi një mbrëmje për t’u harruar dhe, edhe një herë, në qendër të kritikave përfundoi Kolo Muani.

Paraqitja e tij ndaj Lazios iu shtua një serie ndeshjesh zhgënjyese, ku francezi është dukur i çorientuar, pa besim në vetvete dhe pa arritur t’i japë ndihmën e nevojshme skuadrës.

Askush nuk e vë në dyshim vullnetin e tij për të punuar, por në këtë nivel kjo nuk mjafton. Juventusi ka nevojë për shumë më tepër nga një futbollist për të cilin ka investuar një shumë kaq të madhe.

Një histori e gjatë transferimi

Juventusi e ka kërkuar me ngulm Kolo Muanin. Pas huazimit në janar të vitit 2025, kur francezi qëndroi në Torino deri në Botërorin e Klubeve në verën e po atij viti, klubi tentoi ta transferonte përfundimisht gjatë afatit kalimtar të verës dhe më pas në janar të vitit 2026, por pa sukses.

Pas ndryshimeve në drejtimin e klubit, radha i erdhi Giovanni Carnevalit, i cili e siguroi transferimin e sulmuesit për 38 milionë euro, plus 12 milionë euro bonuse.

Një investim prej 50 milionë eurosh, me të cilin Juventusi mund të kishte siguruar një qendërsulmues të mirëfilltë.

Sipas analizës së TUTTOmercatoWEB, pikërisht këtu qëndron problemi: Kolo Muani nuk është një sulmues klasik dhe kjo vërehet sa herë që zbret në fushë, përcjell “Gazeta Express”.

Vetëm Spalletti vazhdon të besojë te francezi

“Jam në krah të Kolo Muanit dhe do të qëndroj deri në fund”, kishte deklaruar Luciano Spalletti disa javë më parë.

Trajneri e mbrojti futbollistin dhe, me gjasë, dëshironte të justifikonte besimin që po i jepte.

Megjithatë, përdorimi i tij vazhdon të jetë një pikëpyetje, pasi Kolo Muani mbetet një nga lojtarët e preferuar të trajnerit, pavarësisht paraqitjeve të dobëta.

Edhe në ndeshjen kundër Lazios, Spalletti zëvendësoi Alajbegovicin dhe Nico Gonzalezin, por jo sulmuesin francez, i cili, sipas vlerësimit të medias italiane, ishte ndër lojtarët më të dobët në fushë.

Në fund, në krah të Kolo Muanit duket se ka mbetur vetëm Spalletti.

Pyetja që shtrohet tashmë është: edhe për sa kohë do të vazhdojë trajneri i Juventusit ta mbrojë sulmuesin, për të cilin klubi ka investuar 50 milionë euro? /Gazeta Express