Gjimnazistë nga Shkodra dhe Lezha bojkotojnë mësimin, marshojnë nëpër qytete

Një pjesë e gjimnazistëve të Shkodrës dhe Lezhës kanë bojkotuar mësimin mëngjesin e së hënës dhe kanë nisur një marshim proteste në rrugët e qyteteve të tyre.

Të rinjtë po marshojnë nëpër rrugë, duke brohoritur parulla si: “Shqipëria e krimit”, “Opozitë e shitur”, “Hiqni kapelet”, “Bashkohuni me ne” dhe “Rama, jep dorëheqjen”.

Sipas raportimeve, universitetet në Shkodër nuk e kanë bojkotuar mësimin këtë të hënë, ndërsa pjesëmarrësit në marshim janë kryesisht gjimnazistë. Aktualisht, situata paraqitet e qetë dhe nuk janë raportuar incidente.

Bojkotime të mësimit nga gjimnazistë dhe studentë ka pasur edhe në qytete të tjera të vendit, si Vlora dhe Elbasani.

Ndërkohë, në Tiranë pritet të mbahet sot dita e shtatë e protestës kombëtare, e cila ka si kërkesë kryesore dorëheqjen e qeverisë.