Kursantë të FSK-së zhvillojnë vizitë studimore në Shqipëri

Në kuadër të bashkëpunimit bilateral mes Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) dhe Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë (FARSH), kursantë të kursit të rreshter majorëve, nga gjenerata 04/2027, kanë zhvilluar një vizitë studimore në Shqipëri. Vizita u realizua si pjesë e bashkëpunimit mes Shkollës së Nënoficerëve të FSK-së dhe Qendrës së Aftësimit Profesional të Nënoficerëve (QAPN) të FARSH-it.

Qëllimi i kësaj vizite ishte avancimi i njohurive profesionale dhe ushtarake, shkëmbimi i përvojave dhe praktikave më të mira, si dhe forcimi i bashkëpunimit në fushën e edukimit dhe aftësimit të nënoficerëve të lartë. Gjatë qëndrimit, kursantët patën mundësinë të njihen nga afër me përvojat, duke theksuar veçanërisht rolin, përgjegjësitë dhe rëndësinë e rreshter majorëve në udhëheqjen, disiplinën, motivimin dhe zhvillimin profesional të personelit ushtarak.

Kjo vizitë dëshmon përkushtimin ndaj bashkëpunimit të vazhdueshëm bilateral mes dy forcave ushtarake, FSK-së dhe FARSH-it. Ajo kontribuon në forcimin e marrëdhënieve profesionale dhe në avancimin e standardeve të përbashkëta në edukimin dhe aftësimin ushtarak të të dy vendeve.

Bashkëpunimi bilateral, shkëmbimi i përvojave dhe zhvillimi profesional mbeten shtylla thelbësore për ndërtimin e nënoficerëve të përgatitur, të përgjegjshëm dhe të gatshëm për përmbushjen e misionit të tyre.