Presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, do të zhvillojë sot, më 19 tetor 2026, një vizitë zyrtare në Kosovë.

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se, gjatë qëndrimit të presidentit malazez, do të aplikohen masa të shtuara sigurie dhe do të ketë ndërprerje të përkohshme të qarkullimit në segmente të caktuara rrugore.

Sipas njoftimit të Policisë, kufizimet do të prekin rrugët përgjatë itinerarit të eskortës presidenciale, duke filluar nga pika kufitare Kullë në drejtim të Pejës, si dhe akset rrugore ku do të zhvillohen aktivitetet zyrtare në rajonin e Pejës.

Ndërprerjet e qarkullimit do të jenë me kohëzgjatje të shkurtër, dhe sipas nevojës, automjetet do të orientohen drejt rrugëve alternative.

Policia e Kosovës ka apeluar për mirëkuptim nga qytetarët dhe pjesëmarrësit në trafik gjatë zbatimit të këtyre masave sigurie.