**Arrestohet në Prishtinë 40-vjeçari i kërkuar për armëmbajtje pa leje, dënuar me një vit e katër muaj burgim**

Policia e Kosovës ka arrestuar në Prishtinë një person 40-vjeçar, i cili ishte në kërkim për veprat penale të mbajtjes dhe përdorimit të paautorizuar të armës.

Ky arrestim, siç njoftoi Drejtoria e Policisë së Kryeqytetit, u krye më 19 tetor nga zyrtarët e Stacionit Policor Jugu në Prishtinë.

Personi i arrestuar, me inicialet A. F., ishte dënuar më parë me një vit e katër muaj burgim për veprat penale “Mbajtja në pronësi, kontrolli ose posedimi i paautorizuar i armës” dhe “Përdorimi i armës”.

Pas përfundimit të procedurave të nevojshme policore, ai është dërguar për të vuajtur dënimin.