Një nga operacionet më të mëdha të inspektimit të mishit po zhvillohet aktualisht në Kosovë. Ky njoftim vjen nga Ministri i Bujqësisë, Armend Muja, pas ndalimit të rreth 103 tonëve mish me afat të skaduar në Mal të Zi, i cili ishte destinuar për tregun kosovar.
Në një deklaratë për Ekonomia Online, ministri Muja theksoi se autoritetet kosovare kanë qenë në kontakt me ato malazeze lidhur me këtë çështje dhe se javën e ardhshme do të realizohet një vizitë e përbashkët për të diskutuar rastin dhe tema të tjera. Ai siguroi se Kosova dhe Agjencia e Ushqimit janë duke finalizuar një nga operacionet më të gjera të inspektimit të mishit të kryera ndonjëherë në Republikën e Kosovës.
Muja garantoi se janë marrë dhe do të merren të gjitha masat ligjore në rast të shkeljeve të dispozitave përkatëse. Ai ritheksoi përpjekjet personale dhe të ministrisë në trajtimin e çdo çështjeje, veçanërisht në sektorin e mishit, duke premtuar transparencë dhe informim të publikut pas përfundimit të procedurave zyrtare.
Reagimi i ministrit Muja vjen pas disa rasteve të fundit të bllokimit të mishit. Gjatë muajit shtator, autoritetet malazeze bllokuan në Portin e Tivarit një sasi prej 24 tonësh mish viçi të ngrirë, me afat të skaduar dhe me origjinë nga Brazili. Ky mish ishte destinuar për kompaninë kosovare “Apetit SHPK”.
Më parë, ishin ndaluar edhe tre kontejnerë të tjerë me mish viçi, me një peshë totale prej 77 tonësh. Në total, bëhet fjalë për rreth 102 tonë mish me afat të skaduar.
Sipas gazetës malazeze “Vijesti”, gjatë kontrollit në port ishte konstatuar se mishi, i nisur drejt Kosovës, kishte afat të skaduar. Dogana malazeze njoftoi po ashtu se punëtorë të një kompanie nga Kosova kishin tentuar të ndërronin etiketat e afatit të skadencës së mishit në Portin e Tivarit.
