**Çështja e Protezave për Invalidët e Luftës, Flet Ministri Vitia**
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka folur lidhur me shqetësimet e ngritura pas mosmiratimit të një amendamenti buxhetor prej 1 milion eurosh, të destinuara për protezat e invalidëve të luftës.
Sipas Vitisë, protezat sigurohen përmes Fondit Shëndetësor, pjesë e Ministrisë së Shëndetësisë. Ai theksoi se deri më tani nuk është raportuar asnjë rast i mungesës së tyre.
Vitia shtoi: “Kërkesat bëhen në bazë të formularëve shëndetësorë dhe secila trajtohet individualisht. Ashtu siç është vepruar deri më tani, çdo kërkesë do të merret në shqyrtim. I bëj thirrje edhe zotit Hoti të aplikojë, nëse nuk e ka bërë ende. Në rast se e ka bërë, kërkesa e tij do të shqyrtohet. Pavarësisht nga zyra apo kabineti ku mund të drejtohet, ne në çdo kohë do të jemi të gatshëm ta ndihmojmë dhe të sigurojmë që kjo të ndodhë.”
Ministri sqaroi se, deri më tani, mbulimi i kostove ka qenë joplotësisht institucional.
Ai shtoi: “Shpesh, mbulimi i shpenzimeve për këta persona, të cilët kanë dhënë gjithçka për vendin tonë, ka varur nga vullneti i qeverive për ndarjen e fondeve. Ata shpeshherë kanë hasur në vështirësi. Për këtë arsye, në bashkëpunim me shoqatat e dala nga lufta, në veçanti me Organizatën e Invalidëve të Luftës, kemi ndërtuar një sistem dhe e kemi institucionalizuar këtë proces.”
Ministri u zotua se asnjë invalid lufte, qoftë civil apo ushtar, nuk do të mbetet pa marrë përgjigje për kërkesën e tij për subvencionim.
“Prandaj, falënderoj organizatat dhe shoqatat e dala nga lufta, veçanërisht Organizatën e Invalidëve të Luftës, e cila ka dhënë një kontribut të paçmueshëm në hartimin e këtij udhëzimi administrativ për mbulimin e dëmtimeve,” deklaroi Vitia.
