Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se personat e arrestuar gjatë protestës së fundit nuk janë studentë, por individë me precedentë të shumtë kriminalë. Në një deklaratë për mediat, Rama publikoi listën e këtyre personave, duke theksuar se ata nuk kanë asnjë lidhje me komunitetin studentor.
Kryeministri paraqiti inicialet dhe fotot e tyre me sy të mbuluar, duke përmendur akuzat që rëndojnë ndaj tyre dhe precedentët e mëparshëm penalë. Ai theksoi se këta individë ishin përdorur në protestë “për të ushtruar dhunë”, ndërsa disa prej tyre rezultojnë të dënuar me burg për vepra të rënda penale, përfshirë edhe vrasjen.
“Këta nuk janë studentët. E kam thënë qysh në krye të herës, këta nuk janë studentët. Dhe tani është koha që fjalia ‘këta nuk janë studentët’ të mbështetet nga fakte, të mbështetet nga dokumente,” u shpreh Rama. Ai shtoi se këta individë “janë paguar nga krimi i organizuar dhe nga forca të huaja, që me çdolloj kusht duan ta kthejnë përmbys edhe njëherë Shqipërinë.”
Lista e paraqitur nga Rama përfshinte një sërë veprash penale, duke filluar nga dhuna në familje, prishja e rendit publik, pengimi i qarkullimit, vjedhja, prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike, deri te akuzat më të rënda si trafikimi i qenieve njerëzore dhe vrasja.
Ndër shembujt e përmendur, ai citoi një ‘student’ 57-vjeçar, i dënuar më parë për dhunë në familje dhe mosbindje ndaj policisë. Një tjetër individ, 41 vjeç, kishte precedentë për dhunë në familje dhe tentativë për marrëdhënie seksuale me motrën. U përmend edhe rasti i një personi 42-vjeçar, i dënuar me 23 vjet burg për vrasje me paramendim dhe armëmbajtje pa leje, i liruar së fundmi.
Disa të arrestuar, sipas Ramës, kishin dënime për prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike, përfshirë edhe dënime në Britaninë e Madhe. Disa të tjerë, si E.V. 45 vjeç, dhe M.A. 32 vjeç, dyshohen për marrje financimesh nga “Republika Khomeiniste e Iranit”.
Kryeministri kritikoi gjithashtu “ekranet e korruptuara, VIP-at dhe të gjithë ata që shtriqen në sallonet e mbrëmjes” duke “heroizuar” protestën dhe duke “grabitur pensionet”, ndërkohë që “qajnë hallin e pensionistëve dhe studentëve”.
Rama përsëriti se ky “komponent kriminal” është një pjesë e protestës, e cila, sipas tij, u ekzagjerua nga aktorë të ndryshëm me interesa të caktuara.
