AKB paralajmëron: 500 vende pune në rrezik në fabrikën “Vita”
Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) ka shprehur shqetësim të thellë për situatën në fabrikën “Vita”, ku rreth 500 vende pune të përhershme janë në rrezik të humbasin. Kjo vjen si pasojë e vendimeve të fundit të Ministrisë së Bujqësisë dhe Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë së Kosovës (AVUK). Lajmi bëhet i ditur nga Ekonomia Online.
AKB thekson se është e papranueshme që prodhuesve vendorë t’u ndalohet përdorimi i vajit të palmës në produktet e qumështit, ndërkohë që produkteve të importuara u lejohet kjo. Sipas Aleancës, kjo qasje krijon dy standarde për të njëjtin treg, duke penalizuar prodhuesin vendor dhe duke favorizuar importin.
Në reagimin e saj, AKB i ka bërë thirrje Ministrisë së Bujqësisë dhe AVUK-ut për një reagim të menjëhershëm, duke kërkuar trajtim të barabartë dhe një zgjidhje urgjente. Qëllimi është të parandalohet rrezikimi i qindra vendeve të punës dhe prodhimit vendor nga vendimet institucionale.
Aleanca thekson gjithashtu se siguria ushqimore duhet të jetë e njëjtë për të gjitha produktet, qofshin vendore apo të importuara. AKB paralajmëron se, në rast se nuk gjendet një zgjidhje, fabrika “Vita” rrezikon të zhvendosë aktivitetin e saj në vende të tjera të Ballkanit Perëndimor, madje edhe në Turqi.
