Ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se mbrojtja e luftës çlirimtare nuk duhet të shndërrohet në mjet për përvetësimin e historisë apo për sulme politike. Ajo në një postim në”Facebook”, ka thënë se UÇK-ja përfaqëson krenarinë kombëtare dhe se kontributi i saj për lirinë e Kosovës meriton nderim të përhershëm.
Postimi i saj i plotë:
“Mbrojtjen e luftës çlirimtare e kemi bërë e do ta bëjmë në çdo cep të botës.
UÇK-ja është krenari kombëtare, jo instrument linçimi politik. Ajo meriton nderim të përhershëm sepse ishte betimi i përgjakur i një populli që sakrifikoi gjithçka për liri.
Por ne nuk e matim drejtësinë e qëndrimeve tona me duartrokitjet e turmës, as me intensitetin e sulmeve. Me kthimin e ligjit propaganda mbeti pa argumente.
Për të mbuluar të vërtetën, u zgjodh linçimi politik kundër LDK-së, partisë që i vuri themelet e lirisë, pavarësisë e demokracisë.
Partinë e Ibrahim Rugovës e barazuat me Listën Serbe, me grupin kriminal që kreu agresion ndaj Kosovës, e madje na akuzuat se e urrejmë UÇK-në.
Por mos e ngatërroni mbrojtjen e luftës me monopolizimin e saj. Nëse ka një të vërtetë që duhet ta kujtojmë gjithmonë, është kjo: krenaria jonë më e madhe është një histori që bashkon Adem Jasharin, Komandantin e UÇK-së, me Ibrahim Rugovën, Komandantin Suprem të luftës sonë çlirimtare. Secili në rrugën e vet, i shërbyen idealit të lirisë së Kosovës.
Kjo është historia jonë. E përbashkët! E shenjtë! Dhe atë askush nuk ka të drejtë ta përvetësojë.”, ka shkruar Osmani.
