**Tiranë, tjetër mbrëmje pa incidente para Kryeministrisë, bëhen thirrje për protestë kombëtare**

Mbrëmja e së premtes në Tiranë u shënua nga një qetësi relative, pavarësisht pranisë së rreth 100 të rinjve përpara Kryeministrisë. Ata qëndruan në bulevard për disa orë, pa krijuar incidente me forcat e rendit, duke tërhequr vëmendjen e medias dhe duke mbajtur në gatishmëri efektivët e policisë.

Thirrjet sporadike nga ana e tyre ishin kryesisht për organizimin e tubimit të kësaj të shtune, i cili sipas organizatorëve pritet të jetë një protestë kombëtare me mbështetjen e diasporës.

Atmosfera gjatë orëve të para të ditës së njëmbëdhjetë të protestës studentore kishte qenë më e tensionuar.

Nga Universiteti Politeknik, prej ku nisi marshimi, pedagogë që iu bashkuan protestës bënë thirrje që edhe kolegë të tyre, ende në auditore, t’i bashkohen lëvizjes, duke theksuar se janë në krah të studentëve pa asnjë ngjyrim politik.

Marshimi i studentëve vijoi drejt Kryeministrisë, ku protestës iu bashkuan edhe studentë të Mjekësisë. Në emër të personelit mjekësor, u lexua një deklaratë publike në mbështetje të kësaj proteste.

Mes studentëve protestues ndodhej edhe Jon Sinoimeri, 20-vjeçari i cili më herët gjatë ditës u identifikua nga Kryeministri Rama si person me precedent penal në fushën e lëndëve narkotike.

I riu mohoi me forcë këto akuza, duke deklaruar se ishte student i Mjekësisë dhe se pretendimet shërbenin për qëllime intimidimi.

Në vijim të aksioneve protestuese, studentët refuzuan të merrnin pjesë në tavolinat e dialogut të vendosura nga Kryeministri.