**Fermin Lopez kritikon ankesat e Real Madridit për gjyqtarët para El Clasicos**
Mesfushori i Barcelonës, Fermin Lopez, ka kritikuar ashpër ankesat e vazhdueshme të Real Madridit për gjykimin në La Liga, duke i cilësuar si një “narrativë” e cila po bëhet gjithnjë e më e lodhshme. Këto deklarata vijnë pak ditë para “El Clasicos” të së dielës, ku dy gjigantët spanjollë do të përballen në “Spotify Camp Nou”.
Në një intervistë për “Teledeporte” (përmes “MARCA”), lojtari spanjoll diskutoi gjithashtu qasjen e Barcelonës ndaj ndeshjes dhe veçoi Thibaut Courtois-n dhe Kylian Mbappe-n si dy prej kërcënimeve më të mëdha të Real Madridit.
Lopez, i cili është shndërruar në një lojtar kyç për Barcelonën nën drejtimin e Hansi Flickut, theksoi se në një ndeshje të tillë nuk ka favoritë. Ai bëri thirrje që skuadra e tij të ruajë qetësinë dhe të zbatojë planin e lojës.
“Në një ndeshje të tillë nuk ka favoritë; secila skuadër mund të fitojë. Jemi dy skuadra të mëdha dhe duhet të përqendrohemi te loja jonë, si dhe t’i kontrollojmë emocionet dhe detajet e vogla”, deklaroi mesfushori.
Lidhur me kritikat e vazhdueshme të Real Madridit ndaj vendimeve të gjyqtarëve – një temë që ka ndezur debate të shumta para “El Clasicos” – Lopez u shpreh se nuk kishte shumë interes të përfshihej në këtë polemikë, por sugjeroi se ankesat e përsëritura po bëhen të lodhshme.
“Këto diskutime po bëhen paksa të lodhshme, sepse ne po e tregojmë nivelin tonë të vërtetë në fushë”, u kundërpërgjigj ai “Los Blancos”.
“Nuk është e drejtë të përfshihesh në atë lloj retorike kur gjërat po na shkojnë mirë, por mua nuk më pëlqen të përfshihem në polemika të tilla, ashtu siç nuk i pëlqen askujt në skuadër”, shtoi ai. “Duhet të vazhdojmë të përqendrohemi në rrugën tonë dhe, nëse ata duan të përfshihen në biseda të tilla, është sepse gjërat po u shkojnë mirë.”
Pavarësisht kësaj kritike ndaj “narrativës” së ankesave, Fermin Lopez tregoi respekt për cilësinë individuale të Real Madridit. Ai veçoi portierin Courtois dhe sulmuesin Mbappe si lojtarë që Barcelona duhet t’i neutralizojë.
“Courtois i fiton shumë pikë skuadrës, bën shumë pritje, ndërsa Mbappe është një lojtar që mund ta ndryshojë rrjedhën e ndeshjes, prandaj, po të kisha mundësi, do t’i hiqja që të dy nga loja”, deklaroi Fermin. “Por Madridi ka lojtarë shumë të mirë dhe duhet t’i kontrollojmë të gjithë si skuadër”, përfundoi ai.
