Mesfushori i Barcelonës, Fermín López, ka kritikuar debatet e vazhdueshme për gjykimin në prag të El Clásicos, duke lënë të kuptohet se Real Madridi ndonjëherë i përdor këto polemika për të larguar vëmendjen nga paraqitjet në fushë.
Në një intervistë për “Teledeporte”, 22-vjeçari theksoi se Barcelona nuk dëshiron të përfshihet në diskutimet për gjyqtarët, por do të përqendrohet te loja dhe rezultatet.
“Ky debat po bëhet paksa i lodhshëm. Ne nuk përfshihemi në këto polemika. Po bëjmë gjëra të mira, po fitojmë, po luajmë mirë dhe po përcjellim vlerat që përfaqëson Barcelona”, deklaroi Fermín.
Ai shtoi se, sipas tij, këto diskutime mund të shërbejnë për të zhvendosur vëmendjen nga ajo që ndodh në fushën e lojës.
“Kur ne luajmë mirë, ata përfshihen në këto debate. Ne nuk merremi me to dhe kaq”, u shpreh mesfushori, duke dhënë një mesazh të qartë në prag të përballjes me rivalin e përjetshëm.
Barcelona dhe Real Madridi do të përballen të dielën në El Clásicon e parë të sezonit, në një ndeshje ku të dyja skuadrat synojnë fitoren dhe dominimin në futbollin spanjoll. /IndeksOnline/
