Policia e Kosovës ka zbardhur detaje të reja rreth një rasti mashtrimi përmes të ashtuquajturave qendra thirrjesh (Call Center) ilegale në Prishtinë. Viktimat dyshohet të jenë shtetas suedezë, të cilëve u ishin ofruar investime të rreme në kriptovaluta.
Sipas njoftimit të Policisë, në lidhje me këtë rast janë arrestuar nëntë persona: gjashtë shtetas kosovarë dhe tre gjermanë. Këta individë dyshohet se kanë vepruar në bashkëpunim.
Rasti i mashtrimit dyshohet të ketë ndodhur së fundmi, në disa vendndodhje të ndryshme në kryeqytet. Të dyshuarit, duke vepruar si grup, kanë bindur shtetasit suedezë, përmes paraqitjes së rreme të fakteve, që të investojnë në kriptovaluta, duke përfshirë Bitcoin-in.
Policia bën të ditur se, pasi viktimat kishin kryer investimet, paratë e tyre janë transferuar në llogari të tjera të panjohura, duke u shkaktuar atyre dëme të mëdha materiale.
Gjatë operacionit, policia ka kontrolluar katër vendndodhje. Aty janë gjetur dhe sekuestruar 39 kompjuterë, pesë telefona celularë, 12 pajisje të jashtme për ruajtjen e të dhënave, një veturë, një armë me gjashtë fishekë, 850 euro dhe 100 franga zvicerane.
Me vendim të prokurorit, të dyshuarit janë dërguar në ndalim.
