Bllokimi i trafikut detar në Arktik po pengon ambiciet e Rusisë për të zhvilluar një rrugë detare të shkurtër drejt Kinës, pavarësisht investimeve të mëdha të Kremlinit dhe deklaratave optimiste.
Në korrik, një grup cisternash ruse, ndaj të cilave janë vendosur sanksione, u bllokuan rreth 1.300 kilometra në veri të Rrethit Arktik, duke u detyruar të prisnin gjatë në ujërat e ngrira. Ndihma nga dy akullthyese bërthamore ishte ditë larg. Anijet u bllokuan në Ngushticën e Vilkitskit, një kalim detar 55 kilometra i gjerë mes Siberisë veriore dhe ishullit Bolshevik, pjesë e Rrugës Veriore Detare (NSR) të Rusisë drejt Kinës.
Kremlini ka investuar ndjeshëm në këtë rrugë, duke shpresuar se shkrirja e akullit në Arktik do ta bënte të kalueshme, duke ofruar një alternativë larg sulmeve me dronë ukrainas dhe ndërhyrjeve të flotave evropiane. Këtë vit, eksportet ruse të naftës dhe gazit të lëngshëm përmes NSR-së kanë shënuar nivele rekord, por incidentet si ky tregojnë se lundrimi nuk është gjithmonë i lehtë.
Ksenia Vakhrusheva, drejtuese e projektit për Arktikun në organizatën mjedisore Bellona, shpjegon se “më pak akull nuk nënkupton lundrim më të lehtë”. Ajo thekson se akulli i shkrirë copëtohet dhe grumbullohet në ngushtica, duke bllokuar anijet që nuk kanë klasifikimin e duhur për lundrim në akull. Mungesa e anijeve të tilla në Rusi është një nga faktorët kryesorë që pengojnë zhvillimin e NSR-së.
Presidenti rus, Vladimir Putin, e ka cilësuar NSR-në si “një rrugë të besueshme dhe të sigurt” me “rëndësi kyçe”. Ai parashikoi transportimin e 37 milionë tonë mallra deri në vitin 2025, me dyfishim deri në 2030, pavarësisht se synimi i Kremlinit për 80 milionë tonë deri në 2024 ka qenë i vështirë për t’u arritur.
Shifrat reale tregojnë një panoramë më të ndërlikuar. Qendra për Logjistikën e Veriut të Largët (CHNL) raportoi se Rusia transportoi rreth 2 milionë tonë (ose 15 milionë fuçi) naftë përmes NSR drejt Azisë deri në fund të muajit të kaluar. Kjo shifër u rrit në 20 milionë fuçi deri në mes të tetorit, një rritje prej 50% krahasuar me vitin e kaluar. Megjithatë, kjo përbën vetëm rreth 1% të eksporteve totale detare të naftës ruse.
Tomas Alexa, analist në kompaninë e konsulencës për sigurinë detare Ambrey, vëren se ndonëse ka “një rritje të ndjeshme aktiviteti,” ajo nis nga një “nivel relativisht i ulët.” Ai shton se sanksionet perëndimore pengojnë ndërtimin dhe mirëmbajtjen e anijeve dhe infrastrukturës në Arktik, pasi pjesët dhe shërbimet kryesore nuk mund të sigurohen drejtpërdrejt nga vendet perëndimore.
Organizatat mjedisore, si Bellona, paralajmërojnë për rreziqe të mëdha mjedisore nga rritja e transportit detar, sidomos nga cisternat e vjetra dhe të mirëmbajtura keq. Vakhrusheva thekson se një rrjedhje nafte në Arktik është shumë më e dëmshme për natyrën, pasi degradimi i saj është i ngadaltë dhe nafta mund të përshpejtojë ndryshimet klimatike. Ajo shton se Rusia nuk publikon informacione për incidente, ndërsa zona e largët nuk lejon monitorim të pavarur.
Nga cisternat e bllokuara në Ngushticën e Vilkitskit, vetëm njëra arriti të kalonte. Anijet e tjera gjetën rrugë alternative, pasi pritën deri në dy javë për akullthyeset, por sërish nuk mundën të lundronin përmes ngushticës.
