Franca do të angazhojë rreth 70.000 policë në mbarë vendin, ndërsa përgatitet për protesta të reja të shtunën. Kjo vjen pas shpërthimit të disa prej episodeve më të ashpra të dhunës urbane të viteve të fundit, gjatë tubimeve të mbajtura një javë më parë.
Protestat e nxënësve të shkollave të mesme, që kërkojnë kushte më të mira mësimi, nxitën një lëvizje e cila më pas u përhap në të gjithë Francën, e nxitur edhe nga pakënaqësia e përgjithshme për rritjen e kostos së jetesës.
Rreth 70.000 pjesëtarë të forcave të sigurisë do të angazhohen të shtunën, tha ministri i Brendshëm, Laurent Nunez, gjatë një konference shtypi në Paris. Ai paralajmëroi se në rrjetet sociale qarkullojnë thirrje për dhunë dhe plaçkitje.
Protestat po zhvillohen në një moment kritik për Francën, gjashtë muaj para zgjedhjeve për pasardhësin e presidentit Emmanuel Macron. Një sondazh i ri e rendit kandidaten e së djathtës ekstreme, Marine Le Pen, si favorite dhe tregon se pozita e saj është forcuar nga zhvillimet e fundit.
Tensionet janë shtuar edhe për shkak se Le Pen pritet të organizojë këtë fundjavë kongresin e partisë së saj, Tubimi Kombëtar (RN), në Orlean. Aty pritet të marrin pjesë mijëra mbështetës, ndërsa autoritetet lokale druhen nga përleshjet, pasi edhe kundërprotestuesit pritet të tubohen në qytetin në jug të Parisit.
Macron u takua të premten me përfaqësues të nxënësve të shkollave të mesme, por pas bisedimeve, këta të fundit u bënë thirrje nxënësve të vazhdojnë protestat derisa qeveria franceze të paraqesë propozime konkrete për plotësimin e kërkesave të tyre.
Qeveria e Macronit është përpjekur të dallojë mes kërkesave legjitime të protestuesve dhe plaçkitjeve, djegieve e shkatërrimeve që shpërthyen në protestat e fundjavës së kaluar.
Deri tani, gjykatat kanë dërguar në paraburgim 217 persona për ngjarjet e së shtunës së kaluar, gjysma e të cilëve nuk kishin precedentë penalë, tha ministri i Drejtësisë, Gerald Darmanin.
Të enjten, Macron bëri thirrje për “ashpërsinë më të madhe” ndaj “akteve kriminale”, duke akuzuar grupet e “së majtës ekstreme” se fundjavën e kaluar kishin synuar “ta rrëzonin republikën”.
Një grup i së majtës ekstreme në Francën perëndimore publikoi në faqen e tij në internet një thirrje për mbështetësit që “të mos kapen nga policia, të jenë të paparashikueshëm dhe t’i shmangen policisë” së vendosur.
Autoritetet kanë forcuar masat e sigurisë dhe kanë vendosur kufizime për protestat.
Në Orlean, 20.000 deri në 30.000 persona pritet të kundërshtojnë tubimin e Le Pen, por autoritetet kanë ndaluar tubimin e protestuesve në qendër të qytetit.
Edhe në Lion, autoritetet kanë ndaluar tubimet e protestuesve gjatë kësaj fundjave. Në Paris, ndërkaq, autoritetet kanë refuzuar disa kërkesa për organizimin e protestave në disa pjesë të qytetit.
Në Marsej, autoritetet po ashtu kanë ndaluar organizimin e protestave, por të premten thanë se shoqatat e punëtorëve do të lejohen të protestojnë në pjesën jugore të qytetit.
Këto kufizime dhe ndalime të organizimit të protestave në disa qytete kanë nxitur kritika.
Organizata për të Drejtat e Njeriut, Amnesty International, dënoi atë që e quajti “rrëshqitje drejt praktikave autoritare”, duke thënë se masat rrezikojnë të drejtën për të protestuar në mënyrë paqësore.
Këtë fundjavë do të angazhohen rreth 20% më shumë pjesëtarë të forcave të sigurisë, pas dyshimeve mbi gatishmërinë e policisë franceze dhe efikasitetin e mbledhjes së informacioneve nga shërbimet inteligjente para shpërthimit të dhunës javën e kaluar.
“Policia ka përgjegjësi si të sigurojë që protestat të zhvillohen në mënyrë paqësore dhe të sigurt, ashtu edhe ta mbrojë publikun nga trazirat e dhunshme”, tha Eva Cosse, studiuese e lartë për Evropën në Human Rights Watch.
Ajo shprehu shqetësim për raportet për fëmijë të lënduar rëndë nga armët që përdoren për kontrollin e turmave gjatë tubimeve të fundit.
Dhuna ka dëmtuar imazhin e Francës në prag të zgjedhjeve që mund të shënojnë një pikë kthese në historinë e saj moderne, ndërsa borxhi i madh qeveritar shqetëson investitorët.
Një sondazh i ri i realizuar nga Harris Interactive për M6/RTL pas shpërthimit të dhunës tregoi se Le Pen kryesonte bindshëm, me 33-35% të mbështetjes në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale.
Sondazhi parashikoi se lideri i së majtës radikale, Jean-Luc Melenchon, do të përballej me të në balotazh, ku Le Pen do të fitonte lehtësisht, me rreth 70% të votave./REL/
