Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, u ka bërë thirrje shqiptarëve me origjinë nga Presheva, Medvegja dhe Bujanoci, të cilët aktualisht jetojnë në Kosovë, që të marrin pjesë në numër sa më të madh në zgjedhjet e ardhshme parlamentare të Serbisë.
Osmani ka theksuar rëndësinë e pjesëmarrjes në procesin e votimit dhe shfrytëzimin e të drejtës demokratike për mbrojtjen dhe avancimin e të drejtave të shqiptarëve. Ajo ka vënë në pah se pjesëmarrja e tyre është thelbësore për të siguruar një zë dhe përfaqësim më të fuqishëm në Parlamentin e Serbisë.
Në mesazhin e saj, presidentja Osmani deklaroi: “Bashkimi është çelësi i përfaqësimit më të fuqishëm politik. Prandaj, bashkë në listë dhe bashkë në votim. Për më shumë deputetë shqiptarë në Parlamentin e Serbisë.”
Ajo ka nënvizuar se çdo votë është e rëndësishme dhe se pjesëmarrja në zgjedhje përbën një kontribut të drejtpërdrejtë për forcimin e përfaqësimit politik dhe përmirësimin e pozitës së shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc. /IndeksOnline/
