Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës, Besnik Tahiri, ka reaguar lidhur me vrasjen e Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës, duke e cilësuar rastin si dështim të institucioneve të shtetit, raporton Ekonomia Online.
Tahiri tha se vrasja e saj është një akt barbar që ka shkaktuar dhimbje të madhe në vend, ndërsa ka theksuar se përgjegjësia nuk duhet të kufizohet vetëm te kryerësi i dyshuar i veprës.
“Ky akt barbar nuk e shohim vetëm si femicid, por edhe si dështim të shtetit të Kosovës. E shohim si dështim të hierarkisë institucionale të shtetit të Kosovës, duke i përfshirë institucionet e sundimit të ligjit, të prokurorisë, të policisë, të qendrave për punë sociale dhe të gjithë ata të cilët, në një formë ose tjetër, duke mos vepruar me qëllim apo pa qëllim, na kanë sjellë një plagë e cila nuk është e para”, ka deklaruar Tahiri.
Ai ka bërë të ditur se Aleanca kërkon shkarkimin e të gjithë zyrtarëve në nivele të ndryshme që kanë pasur të bëjnë me rastin, si dhe themelimin e një komisioni hetimor në Kuvendin e Kosovës.
“Aleanca kërkon shkarkimin në të gjitha nivelet të atyre që kanë pasur të bëjnë me rastin në fjalë. Aleanca kërkon komision hetimor në Kuvend, për këtë rast dhe për rastet e tjera të ngjashme”, tha Tahiri.

